U-19, Shqipëria mbyll kualifikueset me fitore ndaj Maqedonisë së Veriut

TIRANË, 17 nëntor/ATSH/ Kombëtarja U-19 ka mbyllur me fitore ndaj Maqedonisë së Veriut rrugëtimin në kualifikueset e vlefshme për Kampionatin Europian 2022.

Kuqezinjtë e Armando Cungut fituan me rezultatin 3-1, me gola të shënuar nga Asan Mata, Paulo Pjeshka dhe Stiven Bibo, në ndeshjen e tretë dhe të fundit të këtij raundi që u zhvillua në stadiumin “Elbasan Arena”.

Shqipëria e filloi lojën me këtë formacion: Weiper, Preka, Bytyqi, Dervishi, Pjeshka (Shpendi), Zalli, Alivoda (Çipi), Bibo (Arapi), Hysaj, Mata (Bebeziqi), Toci (C. Shpendi).

Kuqezinjtë e nisi mirë lojën, teksa e panë veten shumë shpejt në avantazh, me Asan Matën që godet saktë një penallti të fituar në minutën e 19-të. Pak para se të mbyllej pjesa e parë, kundërshtarët barazojnë shifrat me Talakov.

Me fillimin e fraksionit të dytë, Pjeshka kalon sërish në epërsi kuqezinjtë në minutën e 48-të, teksa dy minuta më vonë, Stiven Bibo vulos rezultatin në 3-1. Skuadra e drejtuar nga Cungu krijoi edhe disa raste të tjera, por pa mundur të realizojnë.

Kjo ishte ndeshja e tretë dhe e fundit për kuqezinjtë në grupin 7, ku Shqipëria ishte shortuar së bashku me Francën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kombëtarja shqiptare arriti të grumbullonte 4 pikë, po aq sa Serbia e vendit të dytë, por për shkak të golavarazhit, kuqezinjtë renditen në vendin e tretë në grup.

Ndeshjet e këtij grupi u zhvilluan të gjitha në vendin tonë.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.