TIRANË, 11 nëntor /ATSH/ Sektori prodhues zgjeroi kontributin në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) në fund të 3-mujorit të dytë të vitit.
Sipas statistikave zyrtare, sektori prodhues u zgjerua me rreth 18.2% krahasuar me një vit më parë, me një ndikim të fortë nga aktiviteti i ndërtimit.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se, kontributi i tij sektori në rritjen ekonomike është përshpejtuar në 3.4 pikë përqindjeje, nga 1.2 pikë përqindje në tremujorin e parë të vitit 2021.
Vlerësimet tregojnë se si komponenti privat, ashtu edhe ai publik kanë ndikuar pozitivisht rritjen e ndërtimit.
Ndërsa aktivitetet në industri kanë dhënë një kontribut prej 2.5 pikë përqindje në rritjen ekonomike.
Kontributi i industrisë përpunuese rezultoi 1.8 pikë përqindje, i përshpejtuar krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Gjithashtu, rritja e prodhimit nga dega e energjisë elektrike rezultoi e rëndësishme për rritjen ekonomike edhe gjatë tremujorit të dytë, duke dhënë një kontribut prej 1.4 pikësh përqindjeje, të krahasueshëm me një tremujor më parë.
Ndërkohë, aktivitetet e bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit u tkurrën me 0.6%, duke evidentuar specifikat e sektorit dhe mungesën e efektit të bazës krahasuese.
PBB përshpejtoi dukshëm ritmin e rritjes, duke shënuar vlerën 17.9% në fund të 3-mujorit të dytë 2021. /j.p/
