Komisioni i Integrimit miraton ndryshimet për TVSH dhe akcizën

TIRANË, 11 nëntor/ATSH/ Komisioni për Integrimin Evropian miratoi ndryshimet në dy prej ligjeve të paketës fiskale që do të zbatohet përgjatë vitit 2022, në atë “Për TVSH” dhe “Për akcizat”.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj bëri të ditur se me qëllim sigurimin e termave afatmesme të burimeve për financimin e shpenzimeve buxhetore po hartohet një strategji afatmesme për të ardhura në buxhet, në konsultim edhe me FMN.

“Konsolidimi i financave publike, rritja e të ardhurave të buxhetit dhe ulja graduale e deficitit buxhetor dhe borxhit publik për vitet në vijim, do të mbështeten në dy shtylla kryesore, rishikimi i politikave tatimore duke korrigjuar përjashtimet dhe tarifat e reduktuara dhe joefektive dhe përmirësimi i administrimit tatimor dhe doganor”, theksoi Ibrahimaj.

Sa i përket ndryshimeve në projektligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, ministrja tha se nga trajtimi me shkallë të reduktuar të TVSH-së 10 % i furnizimit të inputeve bujqësore pritet që të ardhurat të rriten me rreth 900 milionë lekë në vit.

Relatorja e çështjes, Gerta Duraku, tha se ndryshimet në projektligj konsistojnë në trajtimin me shkallë të reduktuar të TVSH-së prej 10 % të furnizimit të inputeve bujqësore, siç janë plehrat kimike, pesticidet, farat dhe fidanët, si dhe përjashtimin nga TVSH-ja për importimin e makinerive dhe të pajisjeve në funksion të realizimit të kontratave të investimeve me vlerë të barabartë ose më të madhe se 500 milionë lekë.

Lidhur me ndryshimet në projektligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, ministrja Ibrahimaj vuri në dukje se nga rritja e akcizës në grupin e duhaneve, parashikohet një efekt vjetor në rritjen e të ardhurave nga akciza rreth 750 milionë lekë.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.