“Katar 2022”, nesër luhet në “Wembley” ndeshja Angli-Shqipëri

TIRANË, 11 nëntor/ATSH/ Kombëtarja shqiptare e futbollit zhvillon mbrëmjen e së premtes në orën 20:45 në “Wembley” përballë Anglisë, sfidën e parafundit në grupin I për kualifikueset e “Botërorit Katar 2022”.

Në ndeshjen e vlefshme për këto kualifikuese, të  zhvilluar më 28 mars të këtij viti, në stadiumin “Air Albania”, Anglia fitoi me rezultatin 0-2, me gola të Harry Kane dhe Mason Mount.

Aktualisht Grupi I kryesohet nga Anglia me 20 pikë pas 8 ndeshjeve të luajtura, teksa në vend të dytë renditet Polonia me 17 pikë dhe në vend të tretë Shqipëria me 15 pikë.

Anglia luan ndeshjen nesër e fundit në shtëpi në këto eliminatore. Të besuarit e trajnerit Gareth Southgate e dinë se u duhen katër pikë nga dy ndeshjet e tyre të fundit në nëntor për të siguruar vendin e tyre në finalet e Kupës së Botës në Katar.

Shqipëria nuk ka shënuar ende një gol në tokën angleze kundër “Tre Luanëve”, duke humbur 5-0 në “Wembley” në prill 1989 dhe 2-0 në shtator 2001 në “St. James Park” në Newcastle. Në sfidën e 1989-ës Shqipëria shënoi një eurogol me Demollarin, por edhe tani nuk dihet arsyeja se pse arbitri e anuloi.

Deri tani Anglia i ka fituar të pesta ndeshjet e saj kundër Shqipërisë, duke shënuar 14 gola dhe duke pësuar vetëm një herë.

8 nga 10 golat e fundit të Anglisë kundër Shqipërisë janë shënuar në pjesën e dytë, me golin e minutës së 38-të të Herri Kayne në mars dhe golin e Michael Ouen në minutën e 44- të në shtator 2001, të vetmet përjashtime në këtë ecuri.

Anglia, e cila ka fituar 5 ndeshjet e para kundër Shqipërisë, ka fituar 6 ndeshjet e para në të gjitha garat kundër 6 skuadrave të ndryshme më parë (Irlandë, Francë, Finlandë, Luksemburg, San Marino, Andorrë).

Shqipëria ka fituar tri nga katër ndeshjet e saj kualifikuese të luajtura jashtë për “Katar 2022”. Në 12 pjesëmarrjet e mëparshme kualifikuese për Kupën e Botës, kuqezinjtë kanë fituar vetëm katër ndeshje jashtë.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.