TIRANË, 10 nëntor /ATSH/ Banka e Shqipërisë bën të ditur se, kredia për individë ruajti norma të larta rritjeje prej 10.7 % gjatë tremujorit të tretë, duke vijuar trajektoren pozitive të nisur nga fillimi i këtij viti.
Sipas BSH-së, përshpejtim i normave të rritjes vihet re në të gjitha nënkategoritë përbërëse të këtij portofoli dhe ka ndikuar në rritjen e peshës së tij në 35 % ndaj kredisë për sektorin privat.
BSH-ja thekson se, portofoli i kredisë për banesa (që zë peshën kryesore në kreditë për individët) është rritur me rreth 13 % gjatë tremujorit të tretë, duke vijuar trajektoren rritëse të vërejtur prej më shumë se një viti tashmë.
Kjo ecuri, sipas BSH-së, ka çuar në rritjen e peshës së këtij portofoli në kredinë për individë në 65 %, nga 62 % që ishte një vit më parë.
Rritja e kredisë për banesa reflekton nga njëra anë kërkesën e shtuar të individëve dhe, nga ana tjetër, kushtet e favorshme të kreditimit, si ato çmim, ashtu edhe ato joçmim, të aplikuara nga bankat për këtë kategori kredie.
Ngushtimi i vazhdueshëm i diferencialit të normave të interesit lek-euro, së bashku me politikat nxitëse të bankave për të kredituar individët në monedhën që ato kanë të ardhura, ka ndihmuar në një kontribut të lartë të kredisë në lekë ndaj totalit të kredisë për banesa. Kredia në lekë ka dominuar zgjerimin e portofolit në pesë vitet e fundit.
/a.a/r.e/
