TIRANË, 10 nëntor/ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot në takim deputeten shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, Ermine Lekaj Prljaskaj dhe delegacionin, që e shoqëronte.
Meta e përgëzoi delegacionin “për përpjekjet e tyre në forcimin e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Kroacisë, për përfaqësimin dinjitoz të komunitetit të rëndësishëm shqiptar në Kroaci, kontributi i të cilit, si në luftën për pavarësinë e Kroacisë, ashtu edhe gjatë viteve të fundit, mbetet një garanci e fortë e marrëdhënieve të shkëlqyera historike, kulturore, politike dhe njerëzore mes dy popujve dhe vendeve tona”.
Meta u shpreh se, “vizita e tyre në Shqipëri për bashkëpunim mes Durrësit e Rijekës dhe Beratit e Bjellovarit, si dhe për marrëveshje e shkëmbime mes universiteteve kanë plotësisht mbështetjen time”.
“E përgëzova Konsullin e ri të Nderit të Shqipërisë në Prefekturën e Rijekës, Bashkim Enesi dhe e mbështeta angazhimin e tij serioz në rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve në të gjitha fushat, veçanërisht atë ekonomiko-tregtare, nxitjen e investimeve kroate në vendin tonë, kulturë, arsim, sport dhe turizëm”, tha Meta.
/r.e/
