Ndryshimet në buxhet, Ibrahimaj: Përballimi i krizës energjetike dhe Eurobondi

 

TIRANË, 8 nëntor/ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj prezantoi në seancën e sotme plenare Aktin Normativ që parashikon rishikimin e buxhetit 2021.

Ministrja Ibrahimaj u shpreh se qëllimi kryesor i tij është përballimi i krizës energjetike, si pasojë e rritjes së menjëhershme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare, si dhe dalja me Eurobond në tregjet ndërkombëtare të kapitalit.

Sipas Ibrahimaj, me emetimin e Eurobondit, borxhi publik parashikohet të shkojë në rreth 80.6 % të PBB-së.

Ibrahimaj, theksoi faktin, se qeveria mbetet e angazhuar dhe se po punohet që të kemi një borxh gjithnjë e më afatgjatë dhe më pak të ekspozuar ndaj risqeve.

Sipas ministres, përmes këtij akti normativ nuk pësojnë ndryshime treguesit e të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore për vitin 2021. “Pra, në thelb deficiti nuk preket, por ndryshojnë zërat e kufijve të borxhit publik, si dhe zërat e financimit të buxhetit të vitit 2021”, tha ajo.

Ministrja vlerësoi si të rëndësishme menaxhimin e rritjes së borxhit publik në nivele më të ulëta sesa rritja e ekonomisë.

“Një rrugëtim i tillë është nisur nga ana jonë, ka dhënë rezultat në harkun kohor të katër viteve, nga viti 2015 deri në 2019. Rruga tashmë është shtruar dhe janë në fuqi mekanizmat e duhur, që do të na mundësojnë të kthejmë borxhin publik në atë trajektore rënëse të iniciuar dhe të ndërprerë përkohësisht në 2020 dhe në 2021”, deklaroi ministrja.

Për ministren, e rëndësishme është pasja e një portofoli borxhi cilësor dhe të mirëmenaxhuar.

“Ndaj përpjekjet tona do vijojnë të jenë të fokusuara në këtë drejtim, duke mundësuar një borxh gjithnjë më afatgjatë dhe më pak të ekspozuar ndaj risqeve”, deklaroi ajo.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.