Agjencia Telegrafike Shqiptare

Fluturimet charter, 17 % të tregut përgjatë shtatorit

TIRANË, 7 nëntor/ATSH/ Fluturimet charter zunë një një përqindje të konsiderueshme të tregut përgjatë muajit shtator.

Të dhënat zyrtare të ardhura nga Autoriteti i Aviacionit Civil tregojnë se ka pasur një numër prej 390,491 pasagjerë të cilët kanë udhëtuar gjatë muajit shtator për/ nga TIA, nga të cilët 64,483 janë pasagjerë të fluturimeve charter. Kjo shifër përbën edhe 17 % të totalit të pasagjerëve.

Referuar të dhënave të publikuara nga AAC numri i pasagjerëve që udhëtuan me charter shënoi rritje me 33 % edhe krahasuar me shtatorin e 2019-ës.

“Rritja e numrit të pasagjerëve charter me 33% krahasimisht me 2019 është tregues edhe për mirëmenaxhimin e grupeve turistike të cilët kanë qenë të shumta edhe përgjatë shtatorit”, bën të ditur AAC.

Sipas AAC-së, numri i pasagjerëve që udhëtuan përmes Rinasit këtë shtator shënoi rritje me 15 % edhe krahasimisht me shtatorin e 2019 që përkon me periudhën para kufizimeve të lëvizjeve për shkak të pandemisë së COVID-19.

Sipas AAC-së, kompanitë me fluksin më të lartë të pasagjerëve që kanë udhëtuar përgjatë shtator janë “Air Albania” dhe “Wizz Air”.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version