Vetëpërjashtimi nga “Ballkani i hapur”, kërcënohet interesi strategjik i Kosovës

TIRANË, 5 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, në një intervistë për Deutche Welle, se me vetëpërjashtimin nga “Ballkani i hapur” kërcënohet interesi strategjik i Kosovës.

Rama shprehu bindjen se “pikërisht pse paqja duhet të mbijetojë dhe duhet të bëhet e pakthyeshme përgjithmonë, ky projekt, kjo nismë detyrimisht do të mbijetojë”.

“Nëse është tradhëti të mendosh për të ardhmen, të mendosh për paqen, të mendosh për rritjen e bashkëpunimit dhe të ekonomisë, të mendosh për mirëqenien shoqërore dhe të mendosh edhe për zgjidhjen përfundimtare të ҫështjes së Kosovës, po atëherë unë jam tradhëtar, nuk diskutohet dhe tradhëtar do të ngelem”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “nuk duhet të harrojmë asnjëherë që ҫështja e mosdakordësisë mes Serbisë dhe Kosovës, procesi në vetvete është një proces i vështirë dhe nuk mund të jetë kurrësesi një proces i qetë vijimësisht, ndaj do ketë edhe tensionet e veta”.

Por, vijoi Rama, nga ana tjetër po të bëjmë një krahasim me të shkuarën, sot vërtet rriten tensionet, por edhe zgjidhja e atyre nyjeve që krijojnë tension është shumë më e shpejtë.

“Pikërisht se është kjo ҫështje në mes, unë mendoj se Ballkani i hapur është edhe më i rëndësishëm, sepse është kontributor i drejtpërdrejtë për të krijuar energji pozitive dhe për ta lehtësuar procesin e konfrontimit në ҫështjen themelore duke i dhënë mundësi palëve të komunikojnë në një atmosferë më pozitive”, tha Rama, ndërsa solli shembullin e Gjermanisë dhe Francës.

“Nëse Kosova do të ishte e pranishme do të kishte mundësi që në radhë të parë, duke u përfshirë në këtë nismë, të rriste kapacitetet e veta ekonomike, të fuqizonte imazhin e vet si një hapësirë ku mund të investohet për investitorët e huaj, të krijonte garanci për të gjithë ata që investojnë dhe që do të investonin në Kosovë, qofshin shqiptarë, qofshin të huaj dhe kështu të merrte disa benefite të drejtpërdrejta të natyrës ekonomike, ndërkohë që në procesin e dialogut të vazhdonte të mbante qëndrimet e veta, që nuk diskutohen, dhe të arrinte synimin e vet”, shtoi Rama.

Por, vijoi ai, “nuk ekziston në histori, siҫ e njoh unë, që një zgjidhje konflikti të ketë pasur sukses duke mos përdorur të gjitha mjetet e nevojshme dhe duke mos përfshirë këtu domosdoshmërinë e vendosjes së interesit të qytetarëve si njerëz, si familjarë, si prindër, prodhues, tregtarë, si konsumatorë, kjo është e sigurt”.

Rama tha se “ҫështjet e konfliktit, domethënë ҫështjet që shfaqin simptomat e atij konflikti që është në themelin e marrëdhënies në mes të Serbisë dhe Kosovës, janë çështje që me ‘Ballkanin e hapur’, me komunikimin e vazhdueshëm, me adresimin e këtyre aspekteve të tjera do të mund të adresoheshin në mënyrë më pozitive nga palët”.

“Sa më shumë palët të afrohen, sa më shumë palët të shihen në sy, sa më shumë palët të gjejnë interesa të përbashkëta jo në teori, por në praktikë, sa më shumë palët të krijojnë afinitet si njerëz përtej të gjitha atyre që i përcaktojnë ata si identitete etnike, si identitete fetare apo ҫfarëdo qoftë tjetër, në teori po flas, aq më shumë krijohen premisa për të adresuar konfliktin thelbësor në mënyrë pozitive”, tha ai.

“Unë nuk them që kjo është e lehtë, por them që e kundërta është e pamundur, unë nuk them që kjo është një zgjidhje magjike, por unë them që moszgjidhja dhe opsionet ekstreme janë absolutisht të destinuara të mos çojnë asgjëkundi. E njëjta gjë vlen edhe për Bosnjën. Bosnja do të përfitonte nga Ballkani i hapur patjetër, si të gjithë që kanë mundësi të përfitojnë, por do të ishte edhe më e relaksuar në rast se nuk do të kishte kufirin që i pengon lëvizjen njerëzve, që i kujton se janë të ndarë, që i kujton që janë në një situatë të vështirë ekonomike dhe sociale etj. etj. E njëjta gjë për Malin e Zi”, shtoi ai.

Kryeministri tha se “të gjithë do të vijnë në Ballkanin e hapur se nuk ka rrugë tjetër, është gjëja më e natyrshme dhe të gjitha pengesat që krijohen dhe të gjitha kundërshtimet janë të panatyrshme”.

“Janë pengesa të natyrës politike që krijohen nga interesa politike të momentit, jo nga ndonjë interes strategjik dhe që cenojnë interesin strategjik të vet këtyre vendeve, në këndvështrimin tim. Dhe, për Kosovën e them me bindje se kërcënohet interesi strategjik i Kosovës duke u vetëpërjashtuar Kosova në Ballkanin e hapur”, tha Rama.

I pyetur nëse ka diskutuar për këto ҫështje me Vuҫiç, Rama tha se “ne diskutojmë gjithҫka dhe diskutojmë shumë hapur dhe kemi rënë dakord, që të mos biem dakord për ҫështjen e Kosovës, për të cilën e kam shprehur edhe këtu në Beograd mendimin tim”.

Por, vijoi ai, “nga ana tjetër, unë besoj shumë që kemi arritur shumë ne shqiptarët duke e bërë Serbinë ta pranojë ‘Ballkanin e hapur’ për gjashtë vende”.

“Ajo që është e rëndësishme është që Serbia ka pranuar që në mes Shqipërisë dhe Kosovës të mos ketë kufij. Gjë që ka qenë premtim i vazhdueshëm i të gjithëve dhe nuk është realizuar dot kurrë, sepse pikërisht sapo i shkonim afër asaj, na ngrihej e gjithë bota dhe thoshin Shqipëria e madhe dhe ka disa që nuk duan ta kuptojnë dhe thonë pse Serbisë do t’i marrim leje ne? Këtu nuk është ҫështja për të marrë leje. Këtu është ҫështja që ta bëjmë një gjë për të kuptuar që kjo gjë nuk bëhet dot, nëse Serbia vë alarmin që këta po bëjnë Shqipërinë e madhe. Ndërkohë Serbia jo vetëm që ka hequr dorë nga kjo, në sensin që nuk është pengesë për këtë, por përkundrazi është e gatshme që të pranojë në tryezë si të barabartë edhe Kosovën për të folur për për ҫështjen e ‘Ballkanit të hapur’. Tani unë nuk e kuptoj dot se pse duhet refuzuar kjo mundësi dhe pse duhet të vuajnë njerëzit që e kanë të nevojshme në radhë të parë për arsye të punës së tyre, për arsye të biznesit të tyre, për arsye të lëvizjes së tyre ‘Ballkanin e hapur’, nuk e kuptoj dot”, tha Rama.

/m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.