Tabaku me ambasadorin e OSBE-së: Reforma Zgjedhore, konsensuale

TIRANË 4 nëntor /ATSH-I.Vata/ Kryetarja e Komisionit të Integrimit, Jorida Tabaku u takua sot me ambasadorin e misionit të OSBE-së, Vincenzo Del Monaco.

Takimi u zhvillua në ambientet e Kuvendit dhe në fokus ishin tre propozimet e PD për ndryshime kushtetuese dhe reformat që janë objektivi i opozitës.

Nënkryetarja Tabaku argumentoi domosdoshmërinë e këtyre reformave më së pari, si një nevojë e qytetarëve, dhe më tej si një nevojë politike. Ajo theksoi se Reforma Zgjedhore mbetet shqetësim që duhet zgjidhur dhe iu referua gjetjeve dhe zbulimeve të raportit të OSBE/ODIHR. Tabaku u shpreh se shitblerja e votave, përfshirja e administratës në zgjedhje dhe shkrirja e shtetit me partinë në pushtet janë simptoma të një regjimi hibrid dhe jo demokratik.

Kryetarja e Komisionit të Integrimit u shpreh se është tejet e domosdoshme që Reforma Elektorale të jetë konsensuale dhe jo e njëanshme. Ndërkohë që i vuri në dukje ambasadorit Del Monaco problematikat në lidhje me agjencinë e medias dhe gjithashtu rikthimin në Kuvend të ligjit antishpifje, ajo theksoi se qeveria po centralizon pushtetin  përmes agjencive të krijuara për ta shndërruar Kryeministrinë në një kullë kontrolli.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.