Indeksimi i pensioneve, 2.6 miliardë lekë në buxhet

TIRANË, 4 nëntor/ATSH/ Shpenzimet e fondeve speciale që përfshin shpenzimet totale për fondet e sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe kompensimin në vlerë të ish-pronarëve, janë planifikuar në vlerën prej 212.8 miliardë lekë në vitin 2022.

Sipas projektbuxhetit për vitin që vjen, i cili ka nisur shqyrtimin në Kuvend, niveli i shpenzimeve për skemën e sigurimeve shoqërore për vitin 2022, parashikohet në masën 148.9 miliardë lekë, ose 8 % e PBB.

Nga ky fond, për indeksimin e pensioneve është parashikuar niveli prej 2.6 miliardë lekë dhe 3.5 miliardë lekë për bonusin e fundvitit për pensionistët.

Ndërsa, shpenzimet e skemës së sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2022 janë parashikuar në masën 52.8 miliardë lekë, ose 2.8 % e PBB, nga 46.1 miliardë lekë të planifikuara në vitin 2021.

Referuar projektbuxhetit, shpenzimet për fondin e kompensimit në vlerë të pronarëve, parashikohen në total në masën 5 miliardë lekë, ose 0.3 % e PBB.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.