Buxheti 2022, Tabaku: Shpenzimet më të lartat në 20 vjet

TIRANË, 3 nëntor/ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi sot se projektbuxheti për vitin 2022 nuk ka të pasqyruar shqetësimin që mazhoranca paraqiti pak javë më parë që ka lidhje me krizën e energjisë elektrike.

“Shohim një qeveri që nuk ka një plan të qartë për këtë krizë në energji që deklaron”, tha Tabaku, gjatë diskutimit të projektbuxhetit në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave.

Tabaku u shpreh se qeveria nuk është treguar e përgjegjshme, sidomos në fushën e detyrimeve të prapambetura, të cilat shkojnë në vlerën e 1 miliard lekëve.

“Shpenzimet e vitit 2022 do të jenë më shumë sesa 27 % e PBB që është vlera më e lartë në mbi 20 vite. Shpenzimet kapitale janë 58 milionë euro dhe këtu nuk është përfshirë rindërtimi dhe kanë një rënie me 10 % në raport me vitin 2021”, tha ajo.

Sipas saj, kjo rritje do të shkojë për PPP-të të cilat do t’i kushtojnë buxhetit thuajse 2 miliardë euro.

“Rruga Milot-Fier (pjesë e autostradës Adriatiko-Joniane), që në vendet e tjera financohet nga BE dhe në Shqipëri nga buxheti, kushton 178 miliardë lekë, ose 1.4 miliardë euro. Kostoja e kësaj rruge është 18 milionë euro/km, ndërkohë që mesatarja e vendeve të BE është 9.3 milionë euro/km (burimi Eurostat). Rruga në fjalë do jetë e gjatë 115 km dhe ka 62 km ekzistuese dhe vetëm 53 km që do të ndërtohen rishtazi. Tani, si ka mundësi që kjo rrugë që jepet me PPP ka një kosto që është 2-fish më e lartë sesa kostot e ndërtimit të rrugëve në BE? Kolaudimi i automjeteve (rishpallje) me vlerë 20.2 miliardë lekë, ose 163 milionë euro. Triporti Vlorë me vlerë 5.6 miliardë lekë, ose 45.6 milionë euro. Siguria rrugore me vlerë 5 miliardë lekë, ose 45 milionë euro. Infrastruktura brenda qytetit të Elbasanit 882 milionë lekë, ose 6.7 milionë euro. Ndërtimi dhe operimi i aeroportit të Sarandës me vlerë 4.2 miliardë lekë, ose 34.2 milionë euro”, deklaroi Tabaku.

Deputetja e PD-së, Tabaku tha se shërbimi i infrastrukturës së çelësave publikë që kanë lidhje me PPP e Fiskalizimit ka vlerë 208 milionë lekë ose 1.69 milionë euro.

“Ky koncesion është i lidhur me skemë të qartë tek Fiskalizimi. Qeveria futi me detyrim përcaktim bizneset në fiskalizim, sipas kontabilistëve dhe sipas bizneseve shumica e tyre nuk kanë marrë akoma fiskalizimin. Qeveria ka parashikuar që të prodhojë certifikatën elektronike dhe çelësin Token përmes një skeme PPP ku është i përfshirë dhe AKSHI”, tha ajo.

Sipas Tabakut, kjo përpos se një rritje e kostos për bizneset, ngre dhe një shqetësim tjetër, atë të sigurisë së biznesit nga mosndërhyrja e një pale të tretë. “Kostoja vjetore aktuale e kësaj pajisje është 4000 lekë dhe me gjasë kjo kosto do të rritet edhe pse teknologjia ka avancuar”, u shpreh Tabaku.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.