Skema Kombëtare, Ferati nga Tushemishti dyfishoi numrin e krerëve

TIRANË, 28 tetor /ATSH/ Ferati, një fermer në Tushemisht të Pogradecit, e ka filluar aktivitetin 30 vite më parë, me 300 krerë dhi.

Sot, falë edhe mbështetjes nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR), ai ka dyfishuar në 600 krerë tufën dhe merr çdo ditë një prodhim të bollshëm qumështi, të cilin e shet në pikën e grumbullimit, duke siguruar të ardhura ekonomike të kënaqshme.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca solli shembullin e Feratit, si një ndër qindra fermerë në të gjithë vendin, që me mbështetjen nga Skema Kombëtare po zhvillojnë fermat blegtorale si një nga aktivitetet fitimprurëse në zonat rurale.

“Ferati e kullot bagëtinë midis Tushemishtit dhe Peshkëpisë në Pogradec, në majën e quajtur si Mali i Qytetit”, shprehet Krifca.

“Mbi supe mban 30 vite në këtë sektor. E ka nisur me 300 krerë, sot ka 600 dhe synon të shtojë deri në 1000 krerë në tufë. Është mbështetur nga Skema Kombëtare për tufën bazë prej vitesh”, theksoi ministrja, teksa vuri në dukje se mbështetja e qeverisë për fermerët do të zgjerohet më tej vitin që vjen.

Fondi i Programit për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural për vitin 2021 adreson mbështetje financiare të drejtpërdrejtë për më shumë se 1900 blegtorë duke i subvencionuar ata për krerë bagëti.

Skema Kombëtare 2021 adreson mbi 70 % të fondit të saj në financimin e fermerëve për fermat me jo më pak se 70 krerë dele dhe/ose dhi, në vlerën 1200 lekë/krerë, por jo më shumë se 360 000 lekë për subjekt, ndërsa për fermat me jo më pak se 5 krerë lopë, në vlerën 10 000 lekë/krerë, por jo më shumë se 500 000 lekë për subjekt.

Gjithashtu fermerët përfituan më parë, subvencion për çdo faturë të shitjes së qumështit te grumbulluesit. Fermerët blegtorë përfituan në total 40 milionë lekë përmes skemës së qumështit me 10 lekë për litër.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.