Helmimi në Krujë, Balla-Rushajt: Më pak politizim e më shumë hetim

TIRANË 28 tetor /ATSH-I.Vata/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Alfred Rushaj kërkoi sot në Kuvend që të ndryshohet rendi i ditës dhe të vihet si pikë e parë diskutimi çështja për helmimin e qytetarëve në Krujë.

Rushaj tha se, janë qindra qytetarë nga Kruja që janë detyruar të shkojnë në spital për të marrë ndihmën e shpejtë, dhe nga çfarë është konstatuar deri më tani kemi të bëjmë me një papërgjegjshmëri dhe shkeljes së ligjit për furnizimin me ujë të pijshëm të qytetarëve.

“Për këtë arsye në paraqitëm kërkesën të firmosur nga 10 deputetë sipas nenit 31 të rregullores, kërkojmë të ndryshohet rendi i ditës dhe të vendoset si pikë e parë diskutimi për situatën emergjente në bashkinë e Krujës”, tha Rushaj.

Nga ana e tij, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se siç raportohen nga organet shtetërore, të gjitha prezente në vend, rezulton se qytetarët në Krujë të jenë të kontaminuar nga uji i pijshëm atje. Siç raportohet dhe prokuroria po bën të gjitha hetimet për t’i shkuar deri në fund kësaj ngjarje.

“Në Kuvendin e Shqipërisë mund të kërkohet ndryshim të rendit të ditës për një ligj, për një projektvendim. Nëse doni një interpelancë urgjente, ajo duhet depozituar deri ditën e martë dhe natyrshëm është me më shumë se 7 deputetë. Kështu që në këtë këndvështrim gëzoni gjithë të drejtën që të kërkoni një interpelancë urgjente dhe ndërkohë që unë do të propozoja si sugjerim që ngjarje të tilla duan sa më pak politizim dhe sa më shumë hetim”, tha Balla.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.