Agjencia Telegrafike Shqiptare

Facebook ndërron emër

SAN FRANCISKO, 28 tetor /ATSH-AFP/ – Mark Zuckerberg, kreu i Facebook, njoftoi sot se kompania mëmë do të quhet tashmë Meta, për të përfaqësuar më mirë të gjitha aktivitetet e saj, nga rrjetet sociale, te realiteti virtual, por emrat e shërbimeve të ndryshme do të mbeten të pandryshuar.

Themeluesi i gjigantit të teknologjisë, i akuzuar për vendosjen e fitimeve para njerëzve, zgjodhi “meta”, “përtej” në greqishten e lashtë, për të treguar se ka “gjithmonë më shumë për të ndërtuar”.

“Kemi mësuar shumë duke u përballur me shumë probleme”, tha ai, duke thënë se tani është koha për të nxjerrë mësimet për të “ndërtuar kapitullin tjetër”.

Ky njoftim u bë pas një ore e gjysmë prezantimi të “metaverse”.

Sipas tij, metaversi përfaqëson të ardhmen e internetit, pas kompjuterëve dhe celularëve, te i cili publiku do të ketë akses për të ndërvepruar, punuar apo edhe për t’u argëtuar nëpërmjet teknologjive.

Ky ndryshim i emrit interpretohet si një manovër shpërqendrimi nga kritikët e grupit kalifornian, i përfshirë në skandale dhe polemika, nga keqinformimi, te konfidencialiteti i të dhënave dhe respektimi i ligjit të konkurrencës./ /ervo/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version