Basha: T’i hapim rrugë vetingut të politikanëve

TIRANË 28 tetor /ATSH-I.Vata/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kërkoi sot në Kuvend që t’i hapet rrugë vetingut të politikanëve.

Duke iu drejtuar Kryeministrit Rama, Basha tha se “ti nuk u gjendesh njerëzve në fatkeqësi, ti i shikon ata vetëm si votues, të cilët duhet t’i shantazhosh, t’i blesh, t’i intimidosh, t’i frikësosh që të mbash me çdo kusht pushtetin”.

“Kjo është marrë vesh botërisht dhe arsyeja e vetme për të qenë në këtë sallë nuk është për të bërë lojëra fjalësh me ty, se ty ta kanë pirë lëngun të gjithë. Qëllimi ynë është që me rrugën më pak të dhimbshme për shqiptarët, të largojmë nga kjo sallë ty dhe të gjithë kalorësit e krimit, të korrupsionit dhe t’ia kthejmë këtë sallë shqiptarëve, që vendimet që do të merren nga kjo sallë të merren për shqiptarët dhe që kjo të ndodhë duhet patjetër që ne të ndryshojmë ligjin themelor të vendit dhe t’i hapim rrugë asaj që ti e ke frikë, si djalli temjanin, vetingut të politikanëve”, theksoi ai.

“Se çfarë katastrofe ka qenë keqadministrimi dhe korrupsioni me të ashtuquajturin rindërtim, por dhe me pandeminë, këtë shqiptarët e njohin në lëkurën e tyre. Dhe pavarësisht se janë harxhuar më shumë para dhe kohë televizive për gënjeshtrat, reklamë dhe propagandë, sërish disa fakte nuk shlyhen dot, se janë aty në mëngjes kur njerëzit çohen akoma në çadra, apo në banesat e të afërmve ku jetojnë prej dy vitesh, apo në banesa me qira që nuk financohen nga bonusi i premtuar”, u shpreh kreu i PD-së.

“Janë akoma larg pallateve të rrafshuara në Kombinat, kur ndërkohë zona që do të shpronësoje për të ndërtuar pallatet, akoma nuk është shpronësuar, por sigurisht hajdutët e fatkeqësisë kanë bërë gati planin se aty ku rrafshuan pallatet do të ndërtojnë projektin e radhës për të pastruar paratë që zyrtarët e lartë të kësaj qeverie dhe këtij regjimi i kanë zhvatur shqiptarëve”, tha ai.

Basha shtoi se “nëse ka diçka për të mbajtur duart në hundë është era e kërmës që qelb këtë sallë. E regjimit të instaluar duke blerë vota, duke shkrirë në një shtetin me partinë dhe të parit të këtij regjimi që krekoset mbi këtë pleh që s’ka lidhje as me demokracinë, as me shtetin e së drejtës, as me aspiratat e shqiptarëve për një jetë më të mirë, as me aspiratën kombëtare për të udhëtuar drejt destinacionit europian dhe as me pandeminë, por vetëm me babëzinë, babëzinë për pushtet”.

“Kjo babëzi nuk ju pengoi, që ndërkohë që COVID ju paska penguar të ndërtoni shtëpitë, ta ngrini kullën 50 kate në bashkëpronësi me oligarkët dhe krimin e organizuar, me gjithë bosët e narkotikës, me gjithë bosët e kokainës, siç e di fare mirë, siç e di dhe unë nga partnerët tanë, ti duhet ta dije nga policia jote, ndoshta ta thotë drejtori i ri se kush bos kokaine ka rezervuar, çfarë ka atje tek ndërtesa më e lartë në Shqipëri të cilën COVID nuk e ndaloi, siç nuk ndalojë kullat e tjera që zotrote kishe planifikuar kur ishe kryetar bashkie, që i vite erë aq e mirë, sa mund të shpikje ndonjë parfum me gropën e Ajdin Sejdisë”. Gropën e mbylla unë dhe e bëra lulishte, ndërsa pasardhësi yt do të bëjë edhe aty kulla”.

Basha theksoi se Shqipëria ka numrin më të lartë të të vdekurve nga pandemia.

“Le të kthehemi dhe një herë te hallexhinjtë e tërmetit, që njësoj si pandemia, i keni bërë mish për top, sepse edhe në kohë pandemie vodhët paratë që duhet të shkonin për gjërat më bazike. Sollët medikamente të skaduara. Shpallët sekret kombëtar tenderat për blerjen e maskave, ndërkohë që nxirrnit autoblindat në rrugë dhe ti dilje nga mikrovala në frigorifer, se në televizor ishe gjithë ditë si gogol për t’u thënë shqiptarëve rrini brenda. Sa të ka shkuar numri i vdekjeve sot, krahasuar me mesataren e para 3 viteve? E ke lexuar gjë raportin e FMN-së? Kur haje hallvë në Egjipt, që sot jemi vendi me numrin më të lartë të të vdekurve. Ata dhjetëra-mijë nëna, baballarë, bij dhe bija, gjyshër, gjyshe që në vend që të jenë në shtëpitë e tyre kallen varrezave”, tha ai.

Basha thekson se me tenderat e tu nuk ka konkurrencë.

“Për sa i përket tenderave dhe që kërkon të flasë me shifra, të vetmet tendera me procedura korrekte janë ato të zhvilluar me fondet e BE. Tarifat e tua dihen, merr në çdo tender mbi 1 milion euro, ato tarifa i dinë të gjithë në Tiranë. Prandaj fondet e BE nuk të pëlqejnë, se fondet e BE-së kanë disa rregulla, sepse nuk e bënë dot ti tenderin me një ofertues, dhe nuk e hedh dot në limit 99.9 %. Kështu, merri ato letrat kudo ku i ke futur. Ndoshta i ke akoma te zyra e z/kryeministri, ndoshta Tigri i ka djegur?! Ndoshta ka ruajtur ndonjë kopje, merri, shiko pak se si me tenderat e tu nuk ka konkurrencë, se i ke përcaktuar ti. Ai do marrë këtë, ai do marrë këtë. Pastaj ke përcaktuar jo vetëm ryshfetin, por si do ndahet. Vëmendje ke gjithmonë për pronarët e ekraneve që të bëjnë fresk nga mëngjesi deri në darkë. Ky është sistemi që ke ndërtuar ti dhe ky sistem do ta mbash në këmbë me çdo kusht me patronazhistët, me lekët për tërmetin. Ti bën sikur nuk i sheh, por ja çfarë thonë faktet. Java zgjedhore, bashkia Durrës ndan 6 milionë euro. Transferta për individin 89 herë më shumë seç kishte ndarë për këtë kategori shpenzimi nga dhjetori 2019 deri mars 2021, për 15 muaj. E pra, po të krahasojmë pagesat për këtë kategori shpenzimi nga 1 dhjetori 2019, që është muaji i parë i pasojave të tërmetit deri 25 mars 2021 dita e parë e fushatës, vlera e ekzekutimeve ishte vetëm 6 milionë 637 mijë lekë të reja. Krejt ndryshe një javë para zgjedhjeve, sepse ti nuk u gjendesh njerëzve në fatkeqësi, ti i sheh ata si votues”, tha ai.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.