Ahmetaj: Shpërndarje me short e 700 apartamenteve në fillim të muajit


TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Zv.kryeministri Arben Ahmetaj, njëkohësisht ministër Shteti për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, deklaroi sot se deri më 26 nëntor, 700 apartamente do të shpërndahen përmes një shorti publik për familjet e prekura nga tërmeti.

Gjatë një interpelance në Kuvend, të thirrur nga deputeti i PD-së në Durrës, Ferdinand Xhaferraj për dy rrugë në këtë qark, “Azem Hajdari” dhe “Miqësia”, Ahmetaj informoi se të dy këto rrugë janë të financuara dhe do të përfundojnë sipas afateve të përcaktuara.

Deputeti demokrat u shpreh se fondi për ndërtimin e këtyre dy rrugëve ishte 1.4 miliardë lekë sipas një vendimi të qeverisë të marrë në qershor të këtij viti. “Por një muaj më pas Këshilli i Ministrave ka shfuqizuar vendimin për përdorimin e këtij fondi për këto rrugë”, tha Xhaferraj.

Ahmetaj informoi se rrugët janë përfshirë brenda Planit të Detyruar Vendor të zonës së shpallur për zhvillim të Spitallës dhe do të ndërtohen nga FSHZH. “Buxheti i shtetit ka alokuar një fond prej 1.8 miliardë lekësh për vitin 2021″, deklaroi Ahmetaj.

Duke folur për rindërtimin e banesave individuale dhe kolektive, zv.kryeministri Ahmetaj tha se nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit janë 1442 banesa individuale në proces, nga të cilat 663 të përfunduara dhe 779 përfundojnë deri në fund të këtij viti.

“Ndërsa Bashkia e Tiranës, ka 712 në total, 390 të përfunduara 11 në fillim të nëntorit dhe 311 deri në fund të nëntorit”, tha Ahmetaj.

Lidhur me ecurinë e ndërtimit të banesave kolektive, ministri Ahmetaj tha se FSHZH ka 34 kontrata me 181 pallate dhe Bashkia e Tiranës ka 30 banesa kolektive.

“Ka filluar puna për ndërtimin e 113 pallateve, ndërkohë në Bashkinë e Tiranës ecuria e punimeve është 50 %”.

Ministri bëri të ditur po ashtu se aktualisht janë 15 mijë familje që trajtohen me bonus qiraje, ndërsa fondi i akorduar është 5 miliardë lekë.

Sipas tij, janë rreth 49 mijë përfitues nga programi i rindërtimit dhe janë alokuar nga buxheti 53.5 miliardë lekë përgjatë periudhës 2020-2021.

“Grante rindërtimi dhe rikonstruksioni janë 15.1 miliardë lekë. Për rikonstruksion janë alokuar 12.2 miliardë lekë dhe përfitues janë 37 797 qytetarë përfitues, ndërsa janë alokuar 2.9 miliardë lekë grante për rindërtim dhe përfitues janë 134 familje”, tha ministri.

Sipas ministrit Ahmetaj në Programin e Rindërtimit janë përfshirë 167 objekte arsimore.

“Janë 167 objekte arsimore në Programin e Rindërtimit. Kanë përfunduar 60 prej tyre. 36 nga FSHZH, 15 UNDP brenda donacionit të Komisionit Evropian prej 115 milionë euro, nga të cilat 75 milionë euro për objekte arsimore. 91 shkolla ku përfshihen dhe shkollat që po ndërtohen nga bashkia e Tiranës janë me financim nga buxheti, 69 nga donatorë dhe 7 të tjera janë në proces financimi për shkak të vlerësimeve të mëvonshme”, deklaroi Ahmetaj.

Ministri informoi po ashtu se janë 25 kantiere të hapura për infrastrukturën publike.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.