ECDC: Sezoni i ardhshëm i gripit mund të jetë serioz

BRUKSEL, 26 tetor /ATSH-ANSA/ – Zbulimi i hershëm i virusit të gripit sezonal është një tregues se sezoni i ardhshëm i gripit mund të jetë serioz, megjithëse ende nuk mund ta dimë me siguri, tha sot Pasi Penttinen, kreu i programit për gripin i Qendrave Evropiane për Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).

“Një rritje e mprehtë e infeksioneve të gripit gjatë pandemisë aktuale COVID-19 mund të ketë pasoja serioze për të moshuarit dhe personat me sistem të dobët imunitar, me një ngarkesë shtesë në sistemet shëndetësore tashmë të tendosura. Prandaj është e rëndësishme të merren masat e nevojshme dhe të mbrohen ata që janë më të rrezikuarit”, thuhet në një shënim nga Agjencia e BE-së.

“Në këtë fazë, vaksinimi është i rëndësishëm, por duhet të respektohen edhe masat e tjera jofarmaceutike, si maskat dhe hapësirat”.

Sipas ECDC, rënia e infeksioneve të gripit në 2020-21, më shumë se 99 për qind më e ulët se norma, tregon se ndërhyrjet jofarmaceutike, si shmangia e grumbullimeve të panevojshme dhe mirëmbajtja e masave higjienike, nuk janë efektive vetëm në frenimin e përhapjes së SARS-CoV-2, por edhe të gripit./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.