Tirana fiton 1-0 derbin përballë Partizanit në “Air Albania”

TIRANË, 25 tetor /ATSH/ Skuadra bardheblu e Tiranës ka fituar me rezultatin 1-0 mbrëmjen e sotme derbin e kryeqytetit përballë Partizanit, të vlefshëm për javën e 6-të të kampionatit shqiptar.

Sfida e zhvilluar në stadiumin “Air Albania” ka qenë mjaft e zjarrtë, teksa të dyja tifozeritë kanë përkrahur skuadrat e tyre gjatë gjithë 90 minutave. Në një moment tifozët kanë ndezur tymuese e flakadanë, duke bërë që ndeshja të ndalet për dy minuta, për të rinisur sërish.

Sa i përket fushës së lojës, ishte Partizani ai që në minutat e para e nisi më mirë, por më pas ishte Tirana që në fundin e pjesës së parë, fitoi një penallti dhe shënoi me anë të Limajt.

Ky rezultat nuk u ndryshua edhe në pjesën e dytë, teksa atmosfera elektrizuese në stadium ishte dekori perfekt në një ndeshje me një rivalitetit kaq të madh si derbi mes Tiranës dhe Partizanit.

Kjo fitore e lë Tiranën në vendin e parë në renditje me 14 pikë, ndërsa Partizani ndodhet në vendin e 8-të me 4 pikë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.