Misione humanitare për refugjatët afganë, Meta pret përfaqësues të organizatave

TIRANË, 25 tetor/ATSH/ Presidenti Ilir Meta priti sot një grup përfaqësuesish të organizatave “Human First Coalition” dhe “Far Reaching Ministries” nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania në kuadrin e misionit të tyre humanitar në Afganistan dhe Shqipëri në ndihmë të refugjatëve afganë.

Meta i falënderoi për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm dhe human, si dhe i siguroi për mbështetjen e tij të plotë dhe të pakursyer në këtë mision fisnik.

“I lumtur të prisja sot një grup përfaqësuesish të organizatave “Human First Coalition” dhe “Far Reaching Ministries” nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania, në kuadrin e misionit të tyre humanitar në Afganistan dhe Shqipëri në ndihmë të refugjatëve afganë.

Të frymëzuar dhe të motivuar vetëm nga ndjenjat e dhembshurisë dhe solidaritetit njerëzor, ata janë misionarë të vërtetë, përçues të frymës dhe vlerave të përfshirjes dhe integrimit të njerëzve në rrezik dhe në nevojë kundër dhunës, përndjekjes dhe izolimit.

I falënderova për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm dhe human, si dhe i sigurova për mbështetjen time të plotë dhe të pakursyer në këtë mision fisnik”, u shpreh Meta në një reagim.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.