Margariti: Hapësirë për Cirkun Kombëtar në lagjet e reja në kryeqytet

TIRANË, 25 tetor/ATSH/ Ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha sot se brenda nëntorit do t’i dorëzohen bashkisë së Tiranës të gjithë kërkesat për programin e ministrisë për evidentimin e hapësirës në zonat e reja të kryeqytetit për ngritjen e Cirkut Kombëtar.

Në një prononcim për mediet, Margariti tha se “ne kemi vazhduar betejën tonë ligjore, kemi ndihmën e Avokaturës së Shtetit dhe e kemi depozituar këtë çështje pranë gjykatës. Afatet e marrjes së procedurave në gjykatë janë periudha të gjata, nuk varet prej nesh, por ne po e vazhdojmë betejën tonë”.

“Gjatë pandemisë ka pasur disa aspekte të komunikimit, të cilat po vazhdojmë të shohim se si një pjesë e komunikimeve nuk kanë kaluar përmes Ministrisë së Kulturës. Jemi në pritje të shqyrtimit nga gjykata dhe kemi në mënyrë konstante takime me Avokaturën e Shtetit”, – theksoi Margariti.

Nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Arbër Mazniku tha se “përveç mënyrës tradicionale ku njerëzit shkonin tek cirku, pa dyshim është moment i vështirë, ndoshta kemi një mundësi ta çojmë cirkun tek djemtë e vajzat, tek studentët, nxënësit në të gjithë zonën që është më thjeshtësisht e arritshme. Jemi në një situatë të vështirë dhe duhet të fillojmë një proces të ri që të krijojmë në lagjet e reja që po ndërtohen në Tiranë hapësira të mundshme moderne për një cirk modern të strukturuar. Bashkë me ministrinë do të shikojmë mundësinë e investimit për të krijuar një strukturë të re”, – nënvizoi Mazniku.

Drejtori i cirkut tha se, cirku disponon dy palestra, njëra është super profesionale e rikonstruktuar nga fillimi, që përmbush të gjitha kushtet dhe studioja e vogël është për moshat më të reja, por ka një specifikë më speciale në aspektin profesional se mund të bësh edhe performancën e fjongove, përveç performancave të vinçit, aty çalojmë, ndërsa për të gjithë numrat e tjerë bazë dhe stërvitorë janë”.

/k.s/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.