“Bechetti”-i, PD: Të hënën kërkesë në Kushtetuese

TIRANË, 24 tetor/ATSH/ Partia Demokratike do të dorëzojë të hënën kërkesën në Gjykatën Kushtetuese për ngritjen e komisionit hetimor për çështjen “Bechetti”.

“Tashmë është e ditur, që qytetarët shqiptarë do t’i paguajnë 120 milionë euro Francesco Bechettit, për shkak të luftës personale që Edi Rama i shpalli këtij sipërmarrësi. Vendimi final ICSID, që është një gjykatë arbitrazhi ndërkombëtare e themeluar nga Banka Botërore, është tashmë publik dhe mund të aksesohet nga çdokush që ka akses në internet”, deklaroi deputeti demokrat Saimir Koreshi.

Sipas Koreshit, në vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit, thuhet se “vendimet e sekuestrimit ishin kulmi i një fushate politike kundër Bechetti-t”.

“Kjo është edhe arsyeja pse përgjegjësit e dëmit prej 120 milionë eurosh, po pengojnë të drejtën kushtetuese të Partisë Demokratike për të ngritur komisionin hetimor, me pretendimin që vendimi, që tashmë gjendet në internet, na qenkësh top sekret”, u shpreh Koreshi.

Deputeti demokrat informoi se ditën e nesërme grupi parlamentar i Partisë Demokratike do të depozitojë në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e vendimit të Kuvendit .

“Ngritja e komisionit hetimor është e pashmangshme, Partia Demokratike do të bëjë gjithçka që përgjegjësit për këtë aferë 120 milionë euroshe të shkojnë përpara drejtësisë”, tha ai. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.