“Shqipëria ime 2021”, konkurs pikture në prag të festave të nëntorit

TIRANË, 23 tetor/ATSH/ Në prag të festave të nëntorit Ministria e Arsimit dhe Sportit shpalli sot konkursin e pikturës “Shqipëria ime 2021”.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi e cila theksoi se “tashmë ky është një konkurs i përvitshëm tek i cili çdo nxënës nga i gjithë vendi është i ftuar të marrë pjesë duke dërguar foton e pikturës së tij/saj, e cila përcjell një peizazh, simbol apo moment të veçantë nga historia dhe vendi ynë i mrekullueshëm, plot vlera e bukuri”.

“Foton e pikturës jeni të lutur ta dërgoni në adresën e e-mailit [email protected] deri më datë 5 nëntor, 2021 (ora 20:00) bashkë me të dhënat tuaja në emërtimin e fotos sipas formatit: emër mbiemër, klasa, shkolla, qyteti”, – tha Kushi.

Nga datat 8-12 nëntor do të publikohen 3 albume të ndryshme, në të cilat do të përfshihen fotot e pikturave të përzgjedhura, të ndara sipas klasave (klasat 1-5, klasat 6-9, klasat 10-12).

Kushi sqaroi se pikturat që do të marrin më shumë pëlqime (nga persona real) në secilin album do të jenë edhe fituesit, pra në total do të kemi 3 piktura fituese, për të cilat do të akordohet edhe nga një çmim simbolik.

Pas këtij konkursi, pikturat më të mira do të ekspozohen në hollin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në një ekspozitë të hapur për të gjithë.

/k.s//a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.