RUSI – Rekord i ri i vdekjesh dhe infektimesh COVID-19

MOSKË, 23 tetor /ATSH-AFP/ – Rusia regjistroi sot një rekord të ri vdekjesh dhe infektimesh të lidhura me COVID-19, për të tretën ditë radhazi, shenjë e valës së rëndë epidemike që po godet vendin.

Sipas bilancit të qeverisë, 1 075 persona kanë vdekur dhe 37 678 janë infektuar në 24 orët e fundit.

Që prej muajit qershor, vendi është përballur me një valë të re të epidemisë, e shkaktuar nga shfaqja e varianteve më agresive, respektimi i ulët i përdorimit të maskave dhe vështirësitë e mëdha të fushatës së vaksinimit.

Numri i të vdekurve tani ka arritur në 229 528, duke e bërë Rusinë vendi më i prekur nga vdekjet në Evropë.

Por këto të dhëna janë kryesisht të nënvlerësuara, pasi agjencia e statistikave Rosstat ka numëruar më shumë se 400 000 të vdekur në fund të gushtit./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.