TIRANË 23 tetor /ATSH-I.Vata/- Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Edvin Kulluri e cilëson të drejtës lëvizjen e ish-Kryeministrit Sali Berisha për të larguar Lulzim Bashën nga kreu i PD-së.
Kulluri thekson se që që prej 2013, PD-së i mungojnë rreth 150-170 mijë vota.
“Lëvizja e Berishës për të larguar Bashën është e drejtë dhe demokratike. Pavarësisht vonesës politike, ajo çfarë është e drejtë duhet mbështetur. Ndaj dhe personalisht e kam konsideruar si lëvizjen e duhur “foltoren” dhe thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm. Por, çështja e krijimit të besimit për të fituar zgjedhjet e ardhshme është me komplekse se largimi i Bashës. Partisë Demokratike që prej 2013 i mungojnë rreth 150-170 mijë vota pa të cilat nuk mund të këte rotacion, pra fitore përballë 700-730 mijë votave të PS. Dhe këto vota të munguara janë pasojë e një problematike komplekse”, shprehet ai.
Po ashtu, Kulluri shton se “nëse Kuvendi Kombëtar që do mbahet pas disa javësh nuk reflekton arsyet e mungesës së ketij elektorati të munguar prej 8 vitesh, PD do gjendet sërish përballe dyshimeve për të krijuar besimin e një shumice fituese. Arsyet mund të jenë të shumta, por në thelb ato shfaqen në 3 aspekte: 1) statutore, pra PD duhet të funksionoje si parti serioze politike në aspektin demokratik; 2) ideologjike, që PD duhet të jetë e qartë për axhenden e saj qeverisëse si alternativë e djathtë superiore ndaj “rilindjes” së Ramës; 3) politike, si përmbledhje e dy aspekteve të para, por e zbërthyer në hapa konkrete të menaxhuar me qartësi dhe vendosmëri. Nëse vazhdojmë të qëndrojmë në “rrethin vicioz” të ndryshimit pa ndryshim, pra thjeshte në retorike, ky shans për të dalë nga kriza do jetë një shans historik i humbur me pasoja të pakorrigjueshme”, shprehet ai
Gjithashtu, Kulluri vë theksin se zgjidhja është pjesëmarrja e demokratëve në lëvizjen Berisha.
“Për të dale me sukses nga kjo vorbull çdo demokrat që nga Berisha e deri te anëtari i seksionit më të largët, duhet te marrim përgjegjësitë që na takojnë. Demokracia është pjesëmarrje”, shprehet ai.
