BRUKSEL – Von der Leyen: BE-ja ka nevojë për energjinë bërthamore dhe gazin

BRUKSEL, 23 tetor /ATSH-AFP/ – Bashkimi Evropian ka nevojë për energjinë bërthamore dhe gazin, si burime të qëndrueshme të energjisë, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Ndërsa BE-ja duhet të reduktojë në mënyrë drastike emetimet e dyoksidit të karbonit për të luftuar ndryshimet klimatike, është e qartë se ne kemi nevojë për më shumë energji të rinovueshme të pastra, si era dhe dielli, që ofrojnë shumë pavarësi për kontinentin, në një kohë kur çmimet e gazit po rriten”, tha kreu i ekzekutivit evropian në një konferencë për shtyp.

“Por krahas tyre, ne kemi nevojë për një burim të qëndrueshëm energjie, atë bërthamore dhe, gjatë një periudhe tranzicioni, natyrisht, për gazin”, shtoi ajo.

Termocentralet bërthamore kanë përparësinë që, praktikisht, nuk emetojnë dyoksid karboni në atmosferë.

Komisioni Evropian duhet të propozojë para fundit të vitit një listë të energjive të konsideruara si të favorshme ndaj klimës, e njohur si “taksonomia e gjelbër”.

Ky klasifikim do ta bëjë më të lehtë për sektorët e njohur aksesin e kapitalit brenda kornizës së “financës së gjelbër”, duke u dhënë atyre një përparësi të rëndësishme konkurruese./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.