BM – Rritja e çmimeve të energjisë dhe mallrave nxit rritjen e inflacionit

LONDËR, 23 tetor /ATSH-AA/ – Indeksi i çmimit të konsumit në Britani pritet të rritet ndjeshëm në gjashtë muajt e ardhshëm, si rezultat i rritjes së çmimeve ndërkombëtare të energjisë dhe mallrave, sipas Fitch Ratings.

“Inflacioni i indeksit të çmimit të konsumit pritet të rritet në 4,3 për qind deri në fund të vitit 2021, nga parashikimi i mëparshëm prej 3,4 për qind, i bërë muajin e kaluar”, tha agjencia globale e vlerësimit.

Sipas deklaratës, inflacioni i konsumit pritet të arrijë kulmin mbi 5 për qind në prillin e ardhshëm, ndërsa përbërësi energjetik i inflacionit të indeksit të çmimit të konsumit pritet të rritet me gati 1 pikë përqindje në muajt e ardhshëm.

“Tarifat e gazit dhe energjisë elektrike me pakicë priten të rriten me 12 për qind në tetor dhe ne supozojmë se ato do të rriten me 20 për qind të tjera në prill 2022”, shtohet më tej.

Çështjet e zinxhirit të furnizimit do të nxisin gjithashtu inflacionin e mallrave bazë, duke përjashtuar energjinë, që pritet të rritet mbi 5 për qind në bazë vjetore në BM, sipas Fitch Ratings.

Fitch Ratings paralajmëroi se rreziku i inflacionit total po rrit pritjet afatmesme të inflacionit, gjë që është një shqetësim më i madh për Bankën e Anglisë, pasi mund të nxisë një rritje të pagave dhe inflacionit në sektorin e shërbimeve./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.