Shpronësohen Sarajet e Toptanasve, projekt restaurimi dhe rijetëzimi

TIRANË, 22 tetor /ATSH/ Sarajet e Toptanasve do t’i nënshtrohen procesit të restaurimit  dhe rijetëzimit, duke u kthyer në një hapësirë dedikuar tërësisht artit dhe kulturës.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në një prononcim për mediet pas mbledhjes së qeverisë, ku u miratua projektbuxheti i vitit 2022.

“Përveç të gjithë nismave që janë parashikuar tashmë në buxhetin për Ministrinë e Kulturës në vitin e ardhshëm, që lidhen me prioritetet e qeverisë, me pjesën e fëmijëve, me aprovimin e Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, si një nga projektet e reja, gjithashtu dhe nisma të tjera që lidhen me qendrat historike në vend, ajo çfarë dua të ndaj me ju sot është përfundimi i sagës së banesës së Toptanasve. Sot qeveria shqiptare ka aprovuar shpronësimin e pronarëve, e gjithë pronësisë private në zonën e Toptanasve, e cila do kalojë tashmë me projektin e restaurimit dhe rijetëzimit të kësaj hapësire historike për Tiranën, me vlera jo vetëm për kryeqytetin, po për gjithë Shqipërinë. Kjo nismë sot i vë fundin një episodi të gjatë, i cili siç e dini, në mesin e gushtit të këtij viti kaloi në një ngjarje tragjike për ti dhënë fund ashtu siç do kishin dashur shumë të tjerë, që nuk pranojnë vlerat e kësaj historie, por shohin vetëm të mirat materiale të pronës së tyre”, tha Margariti.

Ajo theksoi se, “sot qeveria mori vendimin që kjo sagë të përfundojë me shpronësim. Hapësira që do të ngremë është një hapësirë që do të jetë totalisht në funksion të artit dhe kulturës që mbart vlerat e godinës. Godina ka një histori të shkuar e cila lidhet patjetër me banesën karakteristike tiranase dhe me vlerat e spikatura, duke qenë se është monument kulture i kategorisë I, por ka dhe vlera si një nga hapësirat e para të librit. Sot ne kemi marrë vendimin duke patur parasysh që rijetëzimi i kësaj godine të përfshijë në të ardhmen një tjetër hapësirë për librin, një “American Library”, një hapësirë kjo jo vetëm konsultimi, por dhe debati e dialogu dhe për këtë kemi filluar dhe jemi në tratativa dialogu me qeverinë amerikane”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.