Rushaj me banorë në Kinostudio: Shembje e pajustifikuar e pallatit, 2 vjet pas tërmetit

TIRANË 22 tetor /ATSH-I.Vata/ Nënkryetari i Partisë Demokratike, Alfred Rushaj u takua sot me disa familje në zonën e Kinostudios, për të përcjellë shqetësimin e tyre për shembjen e dyshimtë të pallatit ku banojnë, 2 vjet pas tërmetit.

Nga ana e tyre, banorët shpjeguan se ekspertiza e parë e ka nxjerrë pallatin të sigurtë dhe të banueshëm, ndërsa një ekspertizë e mëvonshme, sipas tyre, e pabazuar në ligjin shqiptar, e cilësoi në rrezik shembjeje.

Për nënkryetarin e PD, Rushaj, shembja e pajustifikuar e pallatit në Kinostudio është një nga rastet që tregon sjelljen mafioze të qeverisë.

“Ata nuk e kanë merakun tek siguria, sepse po ta kishin tek siguria, ju nuk do të ishit akoma në shtëpitë tuaja. E kanë patur merakun tek zgjedhjet. Edhe fatkeqësinë e tërmet duan ta shfrytëzojnë për biznes dhe gjejnë një periudhë kur ju nuk keni mundësi ta shprehni revoltën me votë. Fakti që kanë ardhur për t’ju bërë presion se do të presin ujin dhe dritat, është një veprim mafioz. Kur kanë dashur mafiozët të lirojnë tokë, kështu e kanë bërë”, tha ai.

Rushaj, shtoi se “Partia Demokratike e ka referuar çështjen në SPAK për shpërdorim detyre, por ende nuk ka asnjë avancim për interesin e banorëve. Më herët prokuroria e Tiranës refuzoi të bënte një ekspertim të pavarur, pas padisë së ngritur nga PD dhe banorët”.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.