Rushaj kërkoi mosprishjen e pallatit në Kinostudio, aktekspertiza e Institutit të Ndërtimit: I rrezikshëm për familjet

TIRANË, 22 tetor /ATSH/ Instituti i Ndërtimit, nga ekspertiza e kryer pas tërmetit të 26 nëntorit është shprehur se, pallati nr. 4 në rrugën “Myslym Keta” në Tiranë është dëmtuar rëndë dhe rrezikon jetën e banorëve nëse do të vijojnë që të jetojnë aty.

Ndërsa nënkryetari i Partisë Demokratike, Alfred Rushaj, deklaroi sot se ky pallat nuk është për t’u prishur dhe se banorët mund të jetojnë aty.

Sipas rezultateve të aktekspertizës, ka dalë se pallati është për prishje dhe se kostoja e rikonstruksionit të tij shkon 116 % të vlerës. Sipas ligjit shqiptar, nëse vlera e rikonstruksionit të një ndërtese e kalon në 70 % vlerën që duhet për ta rindërtuar, kjo ndërtesë duhet të prishet për t’u ndërtuar nga e para.

Nga inspektimet dhe analizat e kryera vihet re që tërmeti i datës 26.11.2019 ka lënë pasoja dhe dëme të konsiderueshme në strukturë dhe jo vetëm, ku dallohen qartë edhe çarje mbi hapësirën e dritareve, çarje diagonale në mure mbajtës e krisje diagonale në mure mbajtëse, etj.

Ekspertët arrijnë në përfundimin se asnjë nga muret mbajtës të pallatit nuk e ka kaluar testin dhe për pasojë strehimi në to i familjeve do të mund të krijonte një tjetër tragjedi me pasoja si ato të tërmetit të dy viteve më parë, ku pati dhe humbje jete.

Një fakt i tillë pohohet edhe nga oponenca e kryer nga Instituti i Ndërtimit, që konfirmon këtë rezultat, duke dalë në konkluzionin se demolimi i këtij pallati është zgjidhja e duhur për sigurinë e banorëve.

Ekspertët e Institutit të Ndërtimit kanë arritur në konkluzionin se godina në gjendjen e dëmtuar që është, nuk i plotëson kushtet sizmike dhe se do të duhet të rindërtohet nga e para, pasi kostoja e rikonstruksionit të tij e kalon 70 për qind shumën që do të duhej për ta bërë nga e para.

“Aktekspertiza e thelluar për objektin “PALLATI 4”, Rruga “Myslym Keta”, është e detajuar dhe e bazuar në studime, prova laboratorike dhe analiza strukturore të plota. Nga analiza e kësaj ekspertizë dhe vlerës së punimeve të rikonstruksionit dalim si përfundim që “PALLATI 4”, RRUGA “MYSLYM KETA”, TIRANË duhet të prishet dhe të ndërtohet i ri. Projekti i ndërtimit pallatit të ri të hartohet konform Eurokodeve 8 për nivelin e performancës për rastin e efekteve sizmike”, thuhet në ekspertizën e Institutit të Ndërtimit.

Pas daljes së ekspertizave dhe oponencës, Këshilli Bashkiak miratoi vendimin nr. 22, datë 01.03.2021 për prishjen e e pallatit sipas sugjerimit të ekspertëve.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.