Nga investimet në infrastrukturë, te digjitalizimi në të gjithë sektorët, Ibrahimaj: Zë i veçantë në buxhet për pensionistët

TIRANË, 22 tetor /ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj bëri një pasqyrë të projektbuxhetit për vitin 2022 si dhe për vitet në vijim, teksa tha se, “sot qeveria miratoi dy projektligje të rëndësishme që janë në mbështetje të të gjithë reformave strukturore që qeveria ka ndërmarrë tashmë”.

“Ekonomia shqiptare gjatë këtij viti është rritur me një normë më të madhe se rajoni. Në 3-mujorin e parë u rrit me 5.5 % dhe në 3-mujorin e dytë me 18 %. Rritja që patëm në 3-mujorin e dytë ishte e shpërndarë në të gjitha sektorët, çka do të thotë që dhe mbështetja e qeverisë ka qenë e shpërndarë në të gjithë sektorët”, tha Ibrahimaj.

Ministrja theksoi se, “projektbuxheti që do të paraqitet në Kuvend parashikon një rritje të shpenzimeve qeveritare në të gjitha fushat: shëndetësi, kulturë, bujqësi, arsim në infrastrukturë, çka do të përkthehet në një rritje të ekonomisë në nivelin 4 %. Projektbuxheti ka disa kryefjalë: Rritjen e investimeve në infrastrukturë, mbrojtjen sociale, rritjen e produktivitetit në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, rritjen e ligjshmërisë duke forcuar strukturat e antikorrupsionit dhe ombrellë do të jetë digjitalizimi në gjithë sektorët”.

“Prej vitesh tashmë është bërë rregull që pensionistët marrin bonus. Nga viti i ardhshëm do të ketë zë në buxhet më vete për bonusin e pensionistëve. Ndërkohë që qeveria do të vijojë me indeksimin e pensioneve duke mbrojtur të gjithë pensionistët nga rritja e çmimeve. Buxheti nuk parashikon rritje të taksave, por një rritje natyrale të tyre duke shfrytëzuar miradministrimin fiskal”, tha ajo.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.