Muzeu Etnografik i Beratit pasurohet me takijen e punuar nga nënë Sherifja

TIRANË, 22 tetor/ATSH/ Muzeu Etnografik i Beratit u pasurua sot me një takije, pjesë e veshjes popullore për burra të zonës së Myzeqesë.

Takia iu dhurua muzeut nga Fatmira Gajta, si një himn për nënën e saj Sherife Gajta, e cila ishte mjeshtre e përgatitjes së takijeve.

Ajo e ishte mësuar nga nëna e saj këtë mjeshtri që në vogëli e ua kishte trashëguar edhe tri vajzave të saj. I përgatiste takijet në seri, por punonte edhe me porosi. Përgatiste të trija llojet e takijeve, festive e për jetë të përditshme, duke plotësuar nevojat e tregut në Berat, Lushnjë e Fier, por edhe për Shtëpinë e Kulturës Fier e për Festivalin Folklorik të Gjirokastrës.

Nënë Sherifja i shiste vetë te pazari pranë postës së vjetër dhe më pas te sheshi para Markatës. Këtë traditë e vazhdoi deri në momentet e fundit të jetës në vitet 2004 – 2005.

“I duheshin dy ditë për të bërë një takije duke punuar me orë të zgjatura. I vizatonte vetë, i priste e pastaj fillonte qëndisjen e qepjen. Momenti më delikat ishte përgatitja e gajtanit me fill pambuku apo mëndafshi e më pas tegeli, i cili duhet të ishte uniform e sa më afër njëra-tjetrës. Ishte një proces pune që kërkonte mjeshtëri, durim e për më tepër pasion”,  tregon me aq dashuri e ndjeshmëri vajza e saj Fatmira.

Sot takijet e nënë Sherifes i gjejmë në muzetë e Fierit e Lushnjës, e tani edhe në Muzeun Etnografik të Beratit.

Në Muzeun Etnografik në Berat janë ekspozuar objekte të ndryshme si kostumet popullore, im­provizimi i një pazari të vjetër, ndërsa në katin e sipërm ndodhen disa shembuj të dhomave me funksionet përkatëse dhe mënyra e jetesës familjare të zonës së Beratit.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.