Meta: Funksionimi i institucioneve demokratike mbetet prioritet

TIRANË, 22 tetor/ATSH/ Kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, ambasadori Luigi Soreca i dorëzoi sot Presidentit Meta raportin vjetor të progresit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

“Funksionimi i institucioneve demokratike, respektimi i të drejtave themelore dhe sundimi i ligjit mbeten prioritete parësore për Shqipërinë dhe procesin e saj të anëtarësimit në BE”, u shpreh Meta në një reagim.

Meta theksoi se, “duhen përpjekje të shumëfishuara, që ky proces të ecë më shpejt dhe pa kompromentuar vlerat evropiane”.

“Ruajtja e perspektivës evropiane për Ballkanin Perëndimor është kyç për paqen, stabilitetin dhe mbizotërimin e sistemit demokratik, si alternativa më e mirë e qeverisjes”, nënvizoi Meta.

Ndërsa ambasadori Soreca në një reagim u shpreh se, “e rëndësishme që tani Shqipëria të dyfishojë përpjekjet e saj për të adresuar rekomandimet e raportit për progres të vazhdueshëm. Përsërita qëndrimin e BE-së se Konferenca e Parë Ndërqeveritare duhet të mbahet përpara fundit të vitit”.

 

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.