Gazheli: Administrata doganore, angazhim maksimal për lehtësimin e tregtisë

TIRANË, 22 shtator/ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Doganave mori pjesë në mbledhjen e 12 të Grupit Ndërinstitucional për koordinimin e politikës tregtare dhe lehtësimin e Tregtisë.

Kjo mbledhje, e cila u drejtua nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ka një rëndësi të veçantë në këtë kohë kur zhvillime të rëndësishme janë duke ndodhur në fushën e tregtisë.

Gjatë fjalës së tij, Gazheli, vlerësoi procesin e thjeshtimit të procedurave doganore për biznesin, kryesisht në procesin e certifikimit të operatorëve ekonomik të autorizuar (AEO) dhe eksportuesin e miratuar.

“Marrja online e kësaj certifikate shkurton disa orë në doganë, ndaj ju bëj ftesë bizneseve, sidomos atyre agropërpunuese të aplikojnë për marrjen e këtij statusi”, tha Gazheli.

Ndërkohë që është bërë certifikimi i operatorëve të parë ekonomikë të autorizuar, Administrata Doganore ka bërë edhe aplikimin në Sekretariatin e CEFTA lidhur me fillimin e procesit të konfirmimit të këtyre operatorëve të autorizuar në nivel CEFTA.

Gazheli po ashtu informoi se Administrata Doganore vijon thjeshtimin e procedurave doganore dhe përpjekjet për të reduktuar kohën e zhdoganimit për të ulur kohën e përpunimit për bizneset.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.