Financim laboratorëve të teknologjisë dhe të shkencave


TIRANË, 22 tetor /ATSH/ Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi tha se, “sot për herë të parë për të rinjtë dhe fëmijët, qeveria ka miratuar një fond në dispozicion të politikave për ta”.

Në një komunikim me mediet pas mbledhjes së qeverisë, Muzhaqi theksoi se, “falë konsultimeve që kemi bërë me të rinjtë kemi kuptuar një sërë problematikash dhe sot fillojmë t’i japim zgjidhje për herë të parë njërës prej problematikave, që është pjesa e laboratorëve”.

Ajo tha se, “mbështetja për laboratorët e teknologjisë dhe të shkencave është pika e parë që do të bëjmë me fëmijët dhe të rinjtë dhe tashmë kemi kaluar një buxhet për këtë pjesë. Ndërkohë që është një buxhet i veçantë për pjesën e arteve dhe zejeve”.

Muzhaqi theksoi se, “programi që ne po ndërtojmë do të përfshijë edhe pjesën sportive dhe njëkohësisht do të përfshijë edhe pjesën e redaktimeve të lëndës së informatikës. Jemi duke punuar për një program për koduesit rinj dhe presim që deri në fund të vitit tjetër të kemi rreth 1000 kodues që do të përgatiten, për të cilët është alokuar edhe një buxhet i veçantë. Gjithashtu qeveria adreson buxhet të veçantë edhe për Qendrën Kombëtare Kulturore të Fëmijëve, që do ta kemi tashmë në Tiranë”.

Ajo tha se, projektbuxheti i vitit 2022 adreson mbështetje financiare edhe për aktivitetet dhe promovimin e Tiranës si Kryeqytetin Evropian të Rinisë.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.