Botërori i femrave, Shqipëria shkëlqen në “Air Albania”, mund 5-0 Armeninë

TIRANË, 22 tetor/ATSH/ Kombëtarja shqiptare e femrave ka arritur një fitore të thellë 5-0 ndaj Armenisë në ndeshjen e vlefshme për eliminatoret e Botërorit “Australi – Zelandë e Re 2023”.

Vajzat kuqezi të drejtuara nga trajneri Armir Grima bënë një paraqitje të shkëlqyer në stadiumin “Air Albania” të Tiranës, duke dominuar totalisht armenet dhe duke marrë me meritë tri pikët.

Tekniku Grima e nisi ndeshjen me këtë formacion: Rexhepi, Hila, Curraj, Maliqi, Gjini, Franja, Elezaj, Hamidi, Krasniqi, Doçi, Maksuti. Shqipëria e nisi mirë ndeshjen dhe në minutën e 12-të arriti të kalojë në avantazh me golin e Megi Doçit.

Goli karikon ekipin kuqezi që në minutën e 16-të dyfishon shifrat me golin e shënuar nga Mimoza Hamidi. Por nuk mbaron me kaq pjesa e parë, pasi në minutën e 43-të Doçi çon shifrat në 3-0, duke fiksuar edhe dygolëshin personal.

Pjesa e dytë vazhdon me të njëjtin ritëm me Shqipërinë që dikton lojën dhe bënë aksione mjaft të bukura në sulm. Në minutën e 62-të Hamidi realizon golin e dytë personal dhe fikson shifrat në 4-0, teksa në minutat shtesë ka kohë edhe për golin e pestë që shënohet nga Esi Lufo e futu në fushë gjatë pjesës së dytë.

Pas kësaj fitoreje Shqipëria ngjitet në vendin e katërt të grupit me 4 pikë në tre takime të luajtura, duke lënë pas momentalisht Kosovën dhe Armeninë. Në vendin e parë të Grupit F ndodhet aktualisht Norvegjia me 6 pikë në dy ndeshje, e ndjekur nga Belgjika dhe Polonia me nga 4 pikë secila, po aq sa edhe Shqipëria.

Ndeshja e radhës e Kombëtares është në transfertë ndaj Polonisë, më 26 tetor, ora 19:45 në “Tychy Stadium”.

Shqipëri – Armeni 5-0

Golat: 12’ , 43′ Doçi, 16’, 62′ Hamidi, 90′ Lufo

Shqipëria: Rexhepi, Hila, Curraj, Maliqi, Gjini (87’ Zarka), Franja, Elezaj (75’ Levenaj), Hamidi (87’ Metalla), Krasniqi (80’ Lufo), Doçi, Maksuti (75’ Begallo).

 

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.