LITUANI – 7 000 emigrantë presin të kalojnë ilegalisht në BE

RIGA, 21 tetor /ATSH-DPA/ – Sipas qeverisë lituaneze, rreth 6 000-7 000 migrantë nga Iraku, Siria dhe vende të tjera mund të presin që të kalojnë ilegalisht kufirin e jashtëm të BE-së nga Bjellorusia.

“Ne kemi shifra shumë të ndryshme. Shërbimet polake japin një shifër dhe shërbimet tona një tjetër. Mund të ketë 6 000 deri në 7 000 njerëz, por askush nuk mund të thotë me siguri”, theksoi ministrja e Brendshme lituaneze Agne Bilotaite.

Bilotaite shtoi se ”një përllogaritje e saktë është e vështirë sepse Bjellorusia vazhdon të  dërgojë migrantë”.

Qeveritë e Letonisë, Lituanisë dhe Polonisë akuzojnë liderin bjellorus Aleksander Lukashenko se ka sjellë me dashje refugjatë nga rajonet e krizës në kufirin e jashtëm të BE -së dhe në mënyrë të organizuar.

Në përgjigje të sanksioneve të vendosura nga Bashkimi Evropian, Lukashenko deklaroi në maj se ”Bjellorusia nuk do të parandalojë më migrantët ilegalë të përdorin vendin tonë si një rrugë tranziti”.

Lituania, Polonia dhe Letonia u përgjigjën duke rritur masat e mbrojtjes së kufirit dhe duke ndërtuar qindra kilometra pengesa të formave të ndryshme./  /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.