Klosi turistik, tabela informuese dhe shtigje hiking për vizitorët

TIRANË, 21 tetor /ATSH – I. Vata/ Bashkia e Klosit ka mundësuar vendosjen e tabelave informuese dhe krijimin i disa shtigjeve hiking në territorin e saj, me qëllim përmirësimin e infrastrukturës për zhvillimin e turizmit.

Të gjithë turistët, vendas apo të huaj, tashmë do të mund të gjejnë lehtësisht destinacionet turistike në Klos, falë identifikimit të tyre në tabelat informuese që gjenden në rrugën nacionale e jo vetëm. E ndërsa për të apasionuarit pas ecjeve është bërë i mundur krijimi i shtigjeve hiking përmes shenjave orientuese, duke ua bërë më të lehtë ecjen.

“Realizimi i tyre u mundësua në kuadër të projektit ndërkufitar midis Bashkisë Klos dhe Bashkisë Demir Hisar të Maqedonisë së Veriut, me bashkëfinancim të Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftimin e Bashkisë Klos.

Bashkia Klos është një nga zonat me të bukura turistike në qarkun Dibër. Ajo shtrihet në dy anët e lumit Mat dhe është e pasur jo vetëm me pasuri të mëdha natyrore por dhe trashëgimi kulturore.

Me përfundimin e Rrugës së Arbrit, bukuritë natyrore të jashtëzakonshme ofrohen për turistët.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.