IKMT shemb pikën e karburantit pa leje në Fier-Lushnjë, 3.8 milionë lekë gjobë për subjektin


TIRANË, 21 tetor/ATSH/ Një pikë karburanti e ngritur pa leje përgjatë aksit rrugor Fier-Lushnjë është shembur sot nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.

Fadromat e IKMT-së rrëzuan konstruksionin metalik dhe gjithë ndërhyrjet e tjera të paligjshme të bëra nga subjekti, i cili gjithashtu u ndëshkua me gjobë në vlerën rreth 3.8 milionë lekë të reja.

Operacioni për shembjen e ndërtimeve pa leje nisi në qershor të këtij viti dhe rifilloi në shtator përgjatë gjithë vijës bregdetare.

Aktualisht, veç zonave bregdetare po shemben objekte pa leje edhe përgjatë akseve kombëtare.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka përsëritur vazhdimisht se nuk kemi të bëjmë thjesht me një aksion, por me një proces të vazhdueshëm për kontroll të plotë të territorit. Në funksion të kësaj së fundit, pritet që Shqipëria të blejë edhe dronë superinteligjentë.

/m.m//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.