Evakuimi nga Afganistani i 57 personave të lidhur me sportin, presidenti i FIFA-s falënderon Ramën

TIRANË, 21 tetor/ATSH/ Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino ka falënderuar Kryeministrin Edi Rama dhe Emirin e Katarit, Sheik Tamim bin Hamad Al Thani për evakuimin e 57 personave të lidhur me futbollin dhe sportin nga Afganistani.

“Pas një raundi tjetër negociatash komplekse, FIFA mund të konfirmojë se ka mbështetur Katarin me evakuimin nga Afganistani të një grupi të dytë refugjatësh të lidhur me futbollin dhe basketbollin e femrave. Një total prej 57 individësh, kryesisht gra dhe fëmijë, mbërritën të sigurt në Doha dje, me një fluturim çarter të “Qatar Airways””, thuhet në një njoftim të FIFA-s.

“Të enjten e kaluar, 14 tetor, FIFA dhe Katari evakuuan me sukses pothuajse 100 anëtarë të familjes së futbollit nga Afganistani në Doha, përfshirë lojtare femra. FIFA do të donte të shprehte falënderimet e saj të sinqerta për qeverinë e Katarit për mbështetjen e saj në lehtësimin e diskutimeve të gjera dhe sigurimin e kalimit të sigurt të këtyre individëve, të cilët mendohet se kanë qenë në rrezik të madh”, theksohet në njoftim.

“Udhëheqja e FIFA-s ka punuar ngushtë me Katarin në përpjekjet për evakuim që nga gushti dhe me Shqipërinë që i është bashkuar bashkëpunimit kohët e fundit. FIFA tani u bën thirrje të gjitha vendeve në të gjithë botën që të mbështesin këtë kauzë humanitare duke u ofruar zgjidhje të përhershme këtyre grave dhe familjeve për t’u mundësuar atyre të fillojnë të rindërtojnë jetën e tyre”, vijon njoftimi.

Presidenti i FIFA -s, Gianni Infantino tha se, “ne do të donim të shprehim falënderimet tona të sinqerta si për Emirin e Katarit, Lartësinë e Tij Sheik Tamim bin Hamad Al Thani, ashtu edhe për Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, që na ndihmuan me këtë mision humanitar dhe për të gjithë ndihmën e tyre në zhvendosjen e sigurt të këtyre anëtarëve të komunitetit të futbollit në rrethana të tilla sfiduese.

“Unë u bëj thirrje gjithashtu të gjithë miqve tanë në qeveri dhe në komunitetin e futbollit në mbarë botën që të na ndihmojnë në marrjen e lejeve të qëndrimit dhe vizave për të evakuuarit, në mënyrë që ata të mund të fillojnë një jetë të re në rrethana të sigurta”, thuhet në njoftimin e FIFA-s.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.