Agjencia Telegrafike Shqiptare

Ecuria e mirë e kredisë për banesa rrit kontratat e sigurimit të jetës

TIRANË, 21 tetor/ATSH/ Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit mars, vlera e portofolit të kredisë për blerje banesash nga individët arriti në 129.7 miliardë lekë, ose 1.05 miliardë euro.

Kjo ka ndikuar edhe në vëllimin e primeve të shkruara bruto në veprimtarinë e jetës së debitorit që është produkti kryesor i tregut të jetës që ofron mbrojtje financiare për familjen e të siguruarit, ashtu si për Bankën apo institucionin financiar, që është përfituesi i kontratës së sigurimit në rast se i siguruari humb jetën dhe kredia e marrë nuk është shlyer akoma.

Ky zë llogaritet 617 milionë lekë për periudhën janar-gusht, me një rritje prej 33 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020-ës. Në total vëllimi i primeve të shkruara bruto në sigurimin e jetës kapi shifrën 904,1 milionë lekë, ose 29.8 % më shumë krahasuar me janar-gusht 2020.

Dëmet e paguara nga kompanitë për sigurimin e jetës përgjatë periudhës janar-gusht shënuan rritje me 57.5 % në vlerë, duke arritur 242,1 milionë lekë nga 153.7 milionë lekë që ishin në të njëjtën periudhë të vitit 2020. Ndërsa dëmet e paguara për sigurimin e jetës së debitorit shënuan rritje me 141.8 % në vlerë dhe me 122 % në numër.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version