Progresraporti i KE-së, Xhaçka: BE të mbajë fjalën për negociatat

TIRANË, 20 tetor/ATSH-Maela Marini/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka deklaroi sot se “progresraportet janë për ne dokumente pune, ndaj do të adresojmë mangësitë e evidentuara, por shpresojmë se pas këtij raporti të radhës, BE dhe vendet anëtare do të dinë të mbajnë fjalën e dhënë, ende të pambajtur, për çeljen e negociatave”.

Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Integrimit, Xhaçka tha “progresraporti i Komisionit Evropian vlerëson reformat, dhe është më pozitivi ndër vite”.

“Reforma në Drejtësi, lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe reforma zgjedhore vlerësohen qartë. Duke lexuar këtë vlerësim objektiv teknik të Komisionit, sot Shqipëria, por dhe Maqedonia e Veriut do të duhet të kishin nisur formalisht negociatat dhe do të duhet të kishim një datë për Konferencën e parë Ndërqeveritare. Do të duhet t’i kishim këto jo si lëshime, por si diçka që e kemi merituar dhe do të duhet t’i kishim edhe si përmbushje e premtimit të bërë në mënyrë solemne nga BE, në një kohë kur dy vendet kanë bërë mirë detyrat e shtëpisë dhe këto janë njohur jo vetëm nga Komisioni Evropian, por edhe nga vendet anëtare”, tha Xhaçka.

Ministrja tha se “edhe më skeptikët e vendeve anëtare e thonë njëzëri që ne kemi përmbushur çdo kusht dhe kërkesë në këtë hap të procesit të integrimit”.

“Vendi ynë qëndron në pozicion pararojë në kontekstin rajonal, duke shënuar rritje të vlerësimeve në fushat thelbësore që lidhen me shtetin e së drejtës, veçanërisht me Reformën në Drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha Xhaçka.

Ajo shtoi se “raporti thekson përparimin e kënaqshëm në punën e SPAK, përshëndet kuadrin ligjor në luftën kundër korrupsionit dhe ligjin për konfiskimin pasurive”.

“Progresraportet janë për ne plane pune, dokumente që orientojnë punën dhe hapat që do të ndjekin në të ardhmen, ndërkohë që presim që Këshilli të mbajë premtimin për vendimin e marsit 2020, duke miratuar kornizën negociuese e caktuar një datë për mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare. Ne do të vazhdojmë të punojmë për të përmbushur çdo detyrim”, tha Xhaçka.

Po ashtu, Xhaçka tha se “reforma elektorale është kusht thelbësor i Këshillit dhe vlerësimi në raport është më pozitivi që është dhënë ndonjëherë për zgjedhjet në Shqipëri”.

Sot, tha Xhaçka, “kemi arsye më shumë se kurrë të jemi optimistë se procesi do të zhbllokohet dhe perspektiva europiane e Ballkanit Perëndimor do të jetë sërish konkrete dhe e prekshme”.

“Negociatat do të zhvillohen me metodologjinë e re dhe do të jenë më rigoroze dhe ne do të ndjekim me përpikëri të gjitha rekomandimet e BE duke vazhduar me qasjen tone politike konstruktive dhe gjithëpërfshirëse me rajoni dhe linjëzimin e plotë të politikës së jashtme me atë të BE sa i përket çështjeve madhore”, tha Xhaçka.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.