Procedimi nga SPAK për grup kriminal në Norvegji, ekzekutohen masat e sigurimit për 2 shqiptarë

TIRANË, 20 tetor/ATSH/ Policia e Shtetit, në dakordësi me autoritetet gjyqësore norvegjeze, ekzekutoi sot masën e sigurimit ndaj shtetases A. A., ndërsa nxori urdhër kërkimi ndërkombëtar për shtetasin F.P . të cilët ishin proceduar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për veprat penale të “Trafikimit të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Ndërkohë edhe autoritetet gjyqësore norvegjeze kanë proceduar me ekzekutimin e masave të sigurimit dhe ushtrimin e kontrolleve në territorin e tyre.

Po ashtu, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit realizoi kontrollin e disa banesave dhe kontrollin personal të disa shtetasve në qytetet Tiranë dhe Lezhë.

Gjatë kontrollit u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale dokumente të ndryshme me interes për hetimin.

Rezultatet e arritura gjatë hetimeve të këtij procedimi penal janë produkt i bashkëpunimit të shkëlqyer ndërmjet Prokurorisë së Posaçme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit me autoritetet gjyqësore norvegjeze.

Nga hetimet e kryera u grumbulluan të dhëna se shtetasi shqiptar F. P. ka krijuar dhe drejtuar një grup të strukturuar kriminal, i cili bënte të mundur që të dërgonte sasi të ndryshme me lëndë narkotike (kokainë dhe marihuanë) në Norvegji, sasi këto që shiteshin nga përfaqësuesit e tij në këtë shtet. I hetuari F. P. ka arritur gjithashtu që të krijojë një rrjet shpërndarësish të lëndëve narkotike në përbërje të të cilit janë shtetas shqiptarë, por edhe persona me shtetësi jo shqiptare. Të ardhurat e siguruara nga aktiviteti kriminal i trafikimit të lëndëve narkotike dërgoheshin tek shtetasi nën hetim F. P. dhe referentët e tjerë të tij me anë të agjencive të transferimit të parave apo edhe cash.

Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar caktoi në 16 tetor 2021, masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, ndaj shtetasit F.P., si i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Trafikimit të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Krijimit të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Po ashtu, ndaj të hetuarës A. A. u caktua masa e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”.

Gjithashtu, dhe autoritetet gjyqësore norvegjeze kanë caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, ndaj disa personave të cilët dyshohen se janë pjesë e të njëjtit grup të strukturuar kriminal.

Prokuroria e Posaçme, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit janë duke kryer të gjitha verifikimet e nevojshme dhe hetimin financiar për të gjithë personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.