Nxitja e eksporteve, Bilali pret sipërmarrës të bimëve mjekësore

TIRANË, 20 tetor /ATSH/ Ministrja e Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali priti sot në një takim pune përfaqësuesit e Shoqatës IBMA-AMAP që operojnë në tregun e bimëve mjekësore dhe aromatike, me të cilët diskutoi për projekte që i shërbejnë nxitjes së eksporteve të këtij sektori.

“U diskutua mbi krijimin e lehtësive në marrjen e lejeve të ndërtimit për fermerët dhe grumbulluesit e bimëve mjekësore”, u shpreh Bilali.

Në takim vend të rëndësishëm zuri nevoja për laboratorë të akredituar.

“Mbështetja që qeveria do të adresojë për sektorin e bimëve mjekësore synon nxitjen e punësimit dhe të kapaciteteve përpunuese sipas standardeve më të mira”, tha ministrja.

Në Shqipëri ka mbi 7 mijë lloje bimësh, të cilat formojnë thuajse 32 % të të gjithë florës së Europës.

Eksporti i këtyre bimëve ka rritur të ardhurat për familjet e zonës dhe ka nxitur punësimin.

Sektori i bimëve mjekësore dhe aromatike ka krijuar mundësi punësimi për rreth 100 mijë familje që jetojnë në zonat rurale të vendit. Ai gjeneron rreth 18 milionë euro nga eksporti, i listuar si sektori i dytë më i madh në eksportin bujqësor.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.