Mbledhja e përbashkët e qeverive me Kosovën në fund të nëntorit në Durrës, në skaner 86 marrëveshje

TIRANË, 20 tetor/ATSH-Maela Marini/ Në fund të muajit nëntor, në qytetin e Durrësit do të zhvillohet mbledhja e përbashkët e dy qeverive, të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës.

Këtë e bëri të ditur sot ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, në një prononcim për medie pas mbledhjes së sotme të qeverisë.

Xhaçka tha se “në mbledhjen e sotme, në fokus të veçantë ishte mbledhja mes dy qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës që do të mbahet në javën e fundit të nëntorit, në javën e flamurit”.

“Kjo do të jetë mbledhja e 7 e përbashkët mes dy qeverive gjatë së cilës do të bëhet një rikalim i gjithë marrëveshjeve të nënshkruara deri tani, në gjithë ciklet e mbledhjeve qeveritare mes Shqipërisë dhe Kosovës”, tha Xhaçka.

Ministrja tha se “bëhet fjalë për 86 marrëveshje të lidhura përgjatë gjithë kësaj periudhe. Vullneti për të çuar përpara këtë proces është shprehur edhe gjatë vizitës së fundit të kryeministrit Rama në Kosovë, në takimin e tij me kryeministrin Kurti. Është dakordësuar që takimi mes dy qeverive do të zhvillohet në qytetin e Durrësit dhe prej ditësh po punohet përmes një kontributi të përbashkët për realizimin dhe konkretizimin e këtyre marrëveshjeve”.

Në fokus të diskutimeve në mbledhjen e sotme, sipas ministres Xhaçka, ka qenë edhe një lloj skanimi apo inventarizimi i të gjitha marrëveshjeve të lidhura deri tani. “Janë në total 86 marrëveshje të lidhura. Marrëveshje që janë lidhur, nënshkruar dhe zbatuar, marrëveshje që janë zbatuar pjesërisht ose jo, dhe marrëveshje që do të lidhen në mbledhjen e 7 mes dy qeverive në fund të nëntorit”, tha ajo.

Qëllimi, sipas Xhaçkës, “është që të çojmë përpara procesin duke i dhënë një shtysë të re të gjitha marrëveshjeve që për arsye të ndryshme objektive ose jo, nuk janë zbatuar siç duhet të kishte qenë”.

Po ashtu, Xhaçka tha se synohet identifikimi i fushave të reja ku bashkëpunimi ynë mund të zgjerohet dhe thellohet.

“Në mbledhjen e dy qeverive marrëveshjet të cilat do të firmosen do të prekin fusha si ekonomia, bashkëpunimi diplomatik dhe konsullor, arsimi, drejtësia, shkenca apo kultura. Për sa u përket dy Ministrive të Jashtme, ne kemi vendosur krijimin e një grupi pune të përbashkët për rishikimin, përditësimin dhe për zbatimin e marrëveshjeve që kemi në fuqi dhe përpilimin e planeve të veprimit për t’i çuar ato para. Ndërkohë që prioritet i veçantë do t’i jepet edhe identifikimit të fushave të reja ku ka mundësi për të lidhur marrëveshje të reja, që do ta çojnë bashkëpunimin tonë në nivel shumë efikas dhe intensiv, në dobi të qytetarëve shqiptarë në të dy krahët e kufirit”, tha Xhaçka.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.