Lëshimi i faturës për shërbimet elektronike, udhëzim i ri

TIRANË, 19 tetor/ATSH/ Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka qartësuar përmes një udhëzimi i cili është publikuar në Fletoren Zyrtare, momentin e lëshimit të faturës për furnizime në rastin e telekomunikacionit, transmetimit dhe shërbimeve elektronike për persona të patatueshëm.

“Për furnizime në rastin e telekomunikacionit, transmetimit dhe shërbimeve elektronike për persona të patatueshëm, që kanë adresën e tyre të përhershme ose banojnë në Republikën e Shqipërisë, sipas ligjit “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë, furnizuesi i huaj, nëpërmjet përfaqësuesit të tij tatimor në Republikën e Shqipërisë, lëshon fatura dhe zbaton procedurën e fiskalizimit, në përputhje me ligjin, në momentin e furnizimit, ose mund të lëshojë një faturë periodike jo më vonë se data 10 e muajit që pason muajin në të cilin janë dhënë shërbimet”, thuhet në udhëzimin e Financave.

Udhëzimi i ri hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Më 1 janar 2021 nisi faza e parë e zbatimit të kësaj reforme, që konsistonte në transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve dhe enteve publike (B2G); më 1 korrik 2021 nisi faza e dytë për transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve (B2B); më 1 shtator nisi faza e tretë për transaksionet me para në dorë tatimpagues-konsumator (B2C).

Nga 1 janari deri në fillim të këtij muaji 36 847 biznese janë përfshirë në procesin e Fiskalizimit, të cilat kanë lëshuar mbi 48 milionë fatura. Nga këto, 15 887 janë biznese të mëdha dhe 20 684 janë biznese të vogla.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.