Kryenegociatori Mazi: Gati për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në

TIRANË, 20 tetor /ATSH – I. Vata/ Kryenegociatori i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Zef Mazi, ka raportuar këtë të mërkurë në Komisionin e Integrimit.

Ai tha se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kërkesat e BE dhe në fund të vitit, duhet të bëhet gati për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Mazi tha se raporti vjetor ka bërë një sërë vlerësimesh pozitive dhe bën disa rekomandime në mënyrë të qartë, të drejtë dhe në mënyrë praktike.

“Pas marrjes së detyrës si kryenegociator, u ngrit dhe u bë funksional grupi negociator. Unë kam zhvilluar takimet individuale për të kuptuar më mirë se ku jemi dhe çfarë duhet bërë më mirë. Janë kryer 11 mbledhje të grupit negociator dhe më e fundit dje. Është ndjekur nga afër realizimi i planit kombëtar të integrimit evropian. 80 % e planit është përmbushur. Për vitin 2021 procesi është në ndjekje nga afër”, tha ai.

Ai shtoi se është ndjekur nga afër realizimi i planit kombëtar të integrimit evropian.

“Për vitin 2020 Shqipëria pati realizimin më të lartë ndër vite, 89 % e planit u realizua. Niveli i realizimit të planit kombëtar evropian është etaloni matës që përdor komisioni për kapacitetet e realizimit të planit që ne vetë miratojmë. Për vitin 2021 procesi është në ndjekje nga afër. Shpreh bindje se realizimi i planit në fund të vitit do të jetë në të njëjtin nivel ose me lart. Është ndjekur nga afër zhvillimi dhe realizimi i planit të punës për plotësimin e 15 kërkesave të këshillit, mars 2020. Ka pasur një përditësim javor të 15 kërkesave që u janë paraqitur ambasadave dhe Komisionit Evropian dhe delegacionit të BE-së në Tiranë. Janë bërë takime direkte me të gjithë negociatorët me të gjithë ambasadoret e BE-së në Tiranë në grup dhe veç e veç. Kam mbajtur takime të ngushta me ambasadorin Soreca. Kam bërë takim dhe kam informuar Brukselin, ashtu dhe ambasadat tona jashtë. Kam vizituar 21 kryeqytete të vendeve të BE-së. Janë përgatitur dhe paraqitur çdo muaj te Delegacioni i BE 11 raporte mujore të ecurisë së plotësimit të kërkesave. Ky raport ka qenë mjaft frytdhënës në bindjen e vendeve të BE-së që Shqipëria i ka përmbushur tashmë të gjitha kërkesat dhe është gati për t’u ulur në tryezën e negociatave teknike përmes konferencës së parë ndërqeveritare. E theksoj fjalën teknike, sepse negociatat me Shqipërinë janë hapur vjet pas vendimit të marsit 2020”, tha ai.

Mazi shtoi se “mbi këtë bazë, në bazë të verifikimeve që janë bërë nga Delegacioni i BE-së. Komisioni iu përgjigj kërkesës së një shteti anëtar, mori një raport të fundit të datës 12 maj 2021. Ky raport analizon një për një plotësimin e 15 kërkesave të këshillit dhe qartësisht thotë se Shqipëria  i ka përmbushur kërkesat”.

“Situata politike e BE-së gjatë dy viteve të fundit nuk ka qenë më e mira, ka pasur vështirësi. BE ka pasur disa çështje madhore për të menaxhuar, planin e rimëkëmbjes prej pasojave të pandemisë, miratimin e buxhetit afatgjatë në BE, më e fundit kriza në Afganistan, migracioni dhe miratimi i paketës së zgjerimit dje. Sot është mbledhur në Luksemburg këshilli në nivel kryeministrash. Dua të kujtoj se në mars të këtij viti u mbajt takimi i 11 i Këshillit të Stabilizim-Asociimit. Unë isha pjesë e delegacionit tonë që u kryesuar nga Kryeministri. Komisioni vlerësoi se Shqipëria i ka përmbushur kushtet dhe kërkesat që duheshin para konferencës së parë qeveritare”, tha Mazi.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.