Greqia, mbështetje për mbajtjen e Tryezës së parë Ndërqeveritare brenda 2021

TIRANË, 20 tetor /ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, u takua sot me Kryetarin e Parlamentit të Greqisë, Constantine An. Tassoulas.

Kryetari Tassoulas, shprehu kënaqësinë që pret në Parlamentin e Greqisë Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë dhe e uroi Nikollën për zgjedhjen në këtë detyrë të lartë.

Tassoulas shprehu vullnetin e Greqisë për të forcuar e zgjeruar bashkëpunimin me Shqipërinë si edhe gadishmërinë e Parlamentit të Greqisë për të nxitur e mbështetur bashkëpunimin e gjithanshëm midis të dy vendeve.

Kryetarja e Kuvendit, Nikolla, falenderoi Kryetarin e Parlamentit të Greqisë, Constantine An. Tassoulas, për bashkëpunimin midis të dy vendeve dhe të dy parlamenteve.

“Greqia është një fqinje e çmuar, një mike historike dhe e qëndrueshme, partnere e rëndësishme e Shqipërisë në rrugën drejt demokracisë, përparimit dhe integrimit evropian.
Bashkëpunimi midis dy vendeve tona është strategjik dhe ne jemi të vendosur që ai të vazhdojë të forcohet në frymën e fqinjësisë së mirë, në të mirë të interesave tona të përbashkëta, partneritetit të ngushtë në NATO dhe perspektivës së përbashkët evropiane.
Shqipëria i është mirënjohëse Greqisë për mbështetjen e madhe, të qartë dhe të vendosur të procesit të integrimit evropian, çeljes së negociatave dhe jemi të bindur se këtë mbështetje e kemi edhe për mbajtjen e Tryezës së parë Ndërqeveritare gjatë Presidencës sllovene, brenda dhjetorit 2021″, tha Nikolla.

“Vendet tona i lidhin edhe dy ura të fuqishme miqësie: minoriteti grek në Shqipëri, i cili gëzon të gjitha të drejtat që gëzojnë qytetarët shqiptarë dhe komuniteti i emigrantëve shqiptarë në Greqi, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh të të huajve dhe që prej tridhjetë vjetësh kontribuojnë për familjet e tyre, për ekonomitë dhe sistemet e mirëqenies së të dy vendeve”, theksoi Nikolla.

Kryetarja e Kuvendit, falenderoi Tassoulas edhe për ndihmën e Greqisë për përballimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit 2019 si edhe për dhurimin e mbi 120 mijë dozave të vaksinave, duke ndihmuar për përballimin dhe daljen nga pandemia e COVID-19.

Nikolla dhe Kryetari Tassoulas biseduan edhe mbi aspekte konkrete të bashkëpunimit midis të dy parlamenteve dhe grupeve respektive parlamentare të miqësisë.

Ajo e ftoi Kryetarin e Parlamentit, Constantine An. Tassoulas, për një vizitë zyrtare në Tiranë.

Gjithashtu gjatë vizitës së saj në Athinë, Nikolla, u takua edhe me Kryetarin e Bashkisë së Athinës, Kostas Bakoyannis.

Kryeparlamentarja Nikolla dhe Kryebashkiaku Bakoyannis biseduan mbi aspekte të ndryshme të marrëdhënieve e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Greqisë, si dy vende fqinj, miq e partnerë strategjikë.

Nikolla e falenderoi Kryetarin e Bashkisë Bakoyannis për marrëdhëniet shumë të mira me komunitetin e emigrantëve shqiptarë në Athinë dhe kujdesin për integrimin e tyre në jetën ekonomike e shoqërore të qytetit dhe të vendit.

Nikolla dhe Bakoyannis biseduan edhe mbi mbështetjen nga parlamentet e të dy vendeve të qeverisjes vendore dhe partneritetit midis bashkive të të dy vendeve.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ndodhet për një vizitë zyrtare në Greqi, ku do të marrë pjesë në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të Vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, që zhvillohet në Athinë, në 20-23 tetor 2021.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.