FOKUS – SHBA&BE: Asnjë vonesë për negociatat e Shqipërisë dhe MV

UASHINGTON, 20 tetor /ATSH/ – Pas takimit të fundit mes sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken dhe Përfaqësuesit të Lartë Joseph Borrell, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE ranë dakord të forcojnë më tej angazhimin e tyre të përbashkët në Ballkanin Perëndimor në mbështetje të përparimit të rajonit në rrugën e tij evropiane, thuhet në një deklaratë të Departamentit amerikan të Shtetit.

”Ne nënvizojmë mbështetjen tonë të plotë për procesin e zgjerimit të BE-së. Pranimi në BE, një përparësi e deklaruar për të gjithë Ballkanin Perëndimor, ndihmon në konsolidimin e institucioneve demokratike, në mbrojtjen e të drejtave themelore dhe në përparimin e shtetit të së drejtës. Ky rajon i përket Bashkimit Evropian. Integrimi më i ngushtë do të rrisë stabilitetin dhe do të kontribuojë në prosperitetin e njerëzve të rajonit. Në këtë kontekst, ne theksojmë se negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të fillojnë pa vonesë”, thuhet në deklaratë.

”Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë të bashkuar në mbështetjen e tyre të fortë për integritetin territorial të Bosnje-Hercegovinës, si dhe në punën e tyre të përbashkët për të promovuar reformën zgjedhore dhe kushtetuese dhe për të ruajtur funksionalitetin e institucioneve të saj shtetërore. Ne kemi shqetësime serioze për retorikën gjithnjë e më përçarëse në Bosnje-Hercegovinë. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të respektojnë dhe mbrojnë institucionet shtetërore, të rifillojnë dialogun konstruktiv dhe të ndërmarrin hapa për të çuar përpara përparimin në rrugën e integrimit në BE – përfshirë reformat përkatëse. BE-ja dhe SHBA janë gati të lehtësojnë këto hapa”, shtohet në të.

”Theksojmë rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga BE, i cili është mekanizmi kryesor për të adresuar normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Pas javëve të fundit të tensionit në veri të Kosovës, ne nxisim të dyja palët që të angazhohen në çtensionimin e vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm dhe të shmangin veprimet që kërcënojnë stabilitetin. Ne mirëpresim dhe mbështesim angazhimin e Kosovës për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, dhe ritheksojmë se dhuna kundër civilëve, gazetarëve, policisë ose autoriteteve të tjera është e papranueshme.

Ne i bëjmë thirrje të gjitha forcave politike në Mal të Zi që të punojnë së bashku për të ruajtur një orientim strategjik që reflekton dëshirën e popullit të Malit të Zi për të arritur reformat e nevojshme për t’i bërë realitet shpresat e tyre për një të ardhme në BE”, përfundon deklarata e DASH./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.