BRUKSEL – Von der Leyen: ”Gazprom”-i nuk po reagon ndaj rritjes së kërkesës së BE-së

BRUKSEL, 20 tetor /ATSH-DPA/ – Gjiganti energjetik rus ”Gazprom” deri tani nuk ka arritur t’i përgjigjet kërkesës në rritje të gazit nga Bashkimi Evropian, sipas presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Ndërsa ‘Gazprom’-i respektoi kontratat e tij afatgjata me ne, ai nuk iu përgjigj kërkesës sonë të shtuar”, deklaroi Der Leyen në Parlamentin Evropian në Strasburg.

”E gjithë bota u prek nga rritja e çmimeve të energjisë, por kishte diçka specifike në situatën evropiane”, theksoi ajo.

Kritikët e gjigantit energjetik rus dyshojnë se ky reagim mund të përpiqet të detyrojë hapjen e shpejtë të tubacionit të diskutueshëm ”Nord Stream 2” të detit Baltik, për të cilin Moska thotë se do të lehtësojë problemet e furnizimit, por ende është në pritje të miratimit nga Gjermania.

Rritja e çmimeve të energjisë do të jetë një temë në samitin e BE -së i cili do të zhvillohet nesër dhe pasnesër.

”BE importon 90% të gazit që konsumon, një fakt që e bëri bllokun të prekshëm”, theksoi Von der Leyen, duke shtuar se ”situata mund të përmirësohet me një diversifikim më të madh të burimeve të furnizimit dhe një përshpejtim të furnizimit”./   /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.